`Barazia gjinore`, KE: Hap thelbësor për anëtarësimin në BE

Shqipëria

`Barazia gjinore`, KE: Hap thelbësor për anëtarësimin në BE

Më: 7 nëntor 2025 Në ora: 21:04
Flamujt e Bashkimit Evropian përpara ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel

Projektligji për “Barazinë Gjinore”, i cili u miratua të enjten në Kuvendin e Shqipërisë me 77 vota pro dhe 36 kundër, është mirëpritur nga Komisioni Evropian, i cili thekson se nuk është agjendë personale, por përafrim i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian ka reaguar për mediet, duke theksuar se “përafrimi me acquis të BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate duhet ta sigurojnë. Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, por është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE”.

Komisioni mirëpret miratimin e ligjit dhe thotë se është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat.

“Siç u theksua edhe nga Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje, “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së”. Këto janë vlera themelore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti shqiptar mbrëmë”, vijon reagimi.

Kjo vjen pas rekomandimit në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025, i cili i bëri thirrje Shqipërisë të sigurojë një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj.

“Kjo është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE”, njoftoi Komisioni.

Reagimi i Komisionit Evropian vjen edhe në përgjigje të deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, që një ditë më parë gjatë seancës plenare në Kuvend u shpreh se ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato po përpiqet të imponojë standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore.

Por, gjatë darkës, kreu i PD, Sali Berisha tha se i kërkonte falje ambasadorit nëse ishte ndjerë i fyer, por theksoi se nuk ka qenë ai qëllimi i tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat