Në një atmosferë të ngrohtë dhe dinjitoze, Bashkësia e Kukësit i dorëzoi “Çelësin e Qytetit” filantropit dhe afaristit të njohur shqiptar, Lazim Destani, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare e humanitare.
Në këtë ceremoni të veçantë, e cila u mbajt dje e premte në ambientet e Bashkësisë së Kukësit, të pranishëm ishin personalitete nga fusha e ekonomisë, politikës dhe jetës publike, ndër ta edhe ish-kryeministri Pandeli Majko. Ngjarja mblodhi bashkë figura të njohura nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, përfshirë edhe pjesëmarrës të ardhur posaçërisht nga Zvicra.
Në këtë takim morën pjesë edhe afaristi dhe veprimtari i njohur Florim Useini, i cili kishte udhëtuar nga Zvicra së bashku me Prof. Dr. Xhavit Lipaj për të qenë pjesë e këtij momenti simbolik.
Z. Useini përshkroi ngjarjen me fjalë mirënjohjeje dhe respekti:
“Sot pata nderin që, së bashku me Prof. Xhavit Lipaj, të shoqëroj filantropin Lazim Destani në Kukës, ku ai u prit për marrjen e çelësit të Qytetit – Bashkësisë së Kukësit nga kryetari Albert Halilaj. Mikpritja ishte e ngrohtë, miqësore dhe shumë dinjitoze, si nga kryetari ashtu edhe nga anëtarët e Bashkësisë.
Çelësi i Qytetit shkoi në duart e duhura. Lazim Destani është një prej njerëzve që e ka nderuar kombin shqiptar kudo ku ka shkelur, me punën, përkushtimin, mbështetjen e vazhdueshme për komunitetin dhe me investimet e tij që flasin vetë. Kontributi i tij është i prekshëm, serioz dhe afatgjatë — jo thjesht simbolik, prandaj mbetet simbol i shqiptarisë.”
Dorëzimi i “Çelësit të Qytetit” përbën një nga nderimet më të larta që jep Bashkësia e Kukësit, dhe këtë herë ai iu akordua një personaliteti që ka dhënë shembull të gjallë të filantropisë dhe dashurisë për kombin.
Ndërsa Prof. Dr. Xhavit Lipaj ja se çka na tha:
Nga zemra, me disa fjalë dua të shpreh ndjesinë e veçantë që përjetova sot. Kam ardhur enkas nga Zvicra, së bashku me mikun tim, Florim Useinin, për të marrë pjesë në një gëzim të madh, të krijuar nga një personalitet i jashtëzakonshëm i kombit tonë – njeriu modest, bamirës e patriot i madh, z. Lazim Destani.
Sot pata nderin e madh të jem në mesin e njerëzve të mirë, në përurimin e “Shqiponjës së Madhe” në Kukës. Kjo vepër nuk është thjesht një monument – ajo është një simbol i qëndresës, i gjakut dhe i shpirtit tonë të përbashkët shqiptar.
Faleminderit nga zemra iniciatorit, zemërmadhit Lazim Destani, dhe të gjithë atyre që kontribuan që kjo ide fisnike të bëhet realitet.
Kjo shqiponjë nuk flet, por thërret. Ajo na kujton kush jemi, nga vijmë dhe çfarë duhet të mbrojmë.
Nder dhe respekt për çdo shqiptar që punon për bashkimin, kulturën dhe dinjitetin tonë kombëtar“.
Ky vlerësim ndaj Lazim Destanit vjen si dëshmi e mirënjohjes për veprën e tij humanitare, për investimet që kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të trevave shqiptare, si dhe për angazhimin e tij të pandërprerë në mbështetje të diasporës.
Filantropi Lazim Destani ndër të tjera tha:
Falënderoj kryetarin, stafin e tij dhe të gjithë banorët e Kukësit me rrethinë për pritjen e ngrohtë dhe respektin e madh.
Ne përpiqemi dhe do të përpiqemi deri në sekondat e fundit të jetës të kontribuojmë për të mirën.
Nuk dua të flas shumë, sepse dua që puna të flasë për ne, që të lëmë gjurmë të pashlyera me vepra.
Na duhet të jemi edhe më të bashkuar dhe të punojmë edhe më shumë për të mirën e kombit dhe për të mirën në përgjithësi.
Falënderoj të gjithë miqtë që kanë ardhur sot për të më nderuar.
Jam i mbushur me emocione. Me dorë në zemër dhe me fjalë nga shpirti, faleminderit shumë secilit prej jush, një e nga një.
Zoti ju dhëntë të mira juve dhe familjeve tuaja.
Secili nga pak bën që të kemi mjaftueshëm.
Prandaj, të jemi bashkë dhe të punojmë për të mirë.
Le ta gëzojë Kukësi këtë Shqiponjë të Madhe, e cila vendoset sot në zemër të Shqipërisë.
Zot beko Shqipërinë, kombin tonë dhe të gjithë miqtë tanë kudo që janë – në SHBA, Zvicër, Gjermani – dhe të gjitha vendet mike e aleate të NATO-s që na kanë ndihmuar e na ndihmojnë.