Sulmet e çakejve në Malësinë e Madhe, reagojnë banorët

Shqipëria

Sulmet e çakejve në Malësinë e Madhe, reagojnë banorët

Më: 14 nëntor 2025 Në ora: 13:32
Banori i fshatit Kosan.

Banorët e fshatit Kosan, në Malësinë e Madhe, këtë të premte kanë ngritur alarmin për rritjen e sulmeve të çakejve, të cilët po shkaktojnë humbje të mëdha në bagëtinë e imët dhe në kafshë të tjera.

Sipas tyre, ulja e numrit të popullsisë dhe ndalimi i gjuetisë ka çuar në rritje të shpejtë të numrit të çakejve, duke i afruar ata edhe pranë banesave.

“Kemi mbetur pak njerëz për të bërë luftë, nuk kemi armë, kjo është ajo që kemi shqetësimin të madh. Nuk e di na ka ardhur ky virusi nga çakejt, nuk mund ti ndalojmë vetë po nuk na ndihmoi dikush. Çakejt kanë ardhur deri brenda në shtëpi, nëse do ishte dera hapur dhe gjenin një fëmijë, ato do e shkatërronin atë”,-është shprehur një banor i fshatit Kosan.

Ndërkohë një banor tjetër shtoi se:

“Ka tre-katër vjetë që ato janë shtuar tmerrësisht, s’na kanë lënë bagëti, ska lënë asgjë dhe për fëmijët kemi frikë se na i hanë, ata nuk i tremben as çiftes as qenit. Unë kam numëruar 11 copë brenda një dite”, është shprehur një banor tjetër.

Sakaq, banorët tregojnë se janë detyruar të rrethojnë bagëtitë në kullota, por frika nga çakallët i ka detyruar ata të jenë gjithmonë prezentë për t’i ruajtur edhe kur i kanë të rrethuara, ndërsa situata është përkeqësuar shumë katër vitet e fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat