Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për mediat sot më 21 nëntor 2025, së bashku me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Shqipëria e Ballkani Perëndimor nuk kërkojnë lëmoshë.
Rama u shpreh se Ballkani Perëndimor po bën siç duhet detyrat e shtëpisë.
Ai deklaroi se BP kërkon të hyjë në Europë si kontribuuese në çdo fushë të BE-së dhe jo si përfituese.
Edi Rama: Kur vijnë investimet, emigracioni ulet. Kur mundësitë rriten në vend, Europa nuk do bëhet rrugë ikjeje. Ballkani Perëndimor është një rajon që kërkon të rritet me Europën dhe jo në kurriz të Europës. Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere. Çdokush vjen me krenari, që të ofrojë djersë dhe punë. Ne nuk kërkojmë lëmoshë. Ne po japim rezultate. Nuk ka kuptim, që Europa të jetë e fortë, pa qenë e fortë dhe pjesa e Ballkanit Perëndimor, që ka qenë historikisht pjesë e këtij kontinenti. Po ecim me detyrat tona të shtëpisë të plotësuara në çdo hap. Ne duam të hyjmë në BE si kontribuues për ekonominë, për sigurinë. Për sigurinë e BE, zgjidhni një ballkanas. Për sigurinë e Europës, zgjidhni ballkanasit. Ne mund të jemi truprojat e Europës.