​Rruga Kakavijë-Janinë do të bllokohet sërish shkaku i grevës së fermerëve grekë

Shqipëria

​Rruga Kakavijë-Janinë do të bllokohet sërish shkaku i grevës së fermerëve grekë

Më: 6 dhjetor 2025 Në ora: 14:47
Foto ilustrim

Sonte nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), rruga Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë sërish e bllokuar për shkak të protestës së fermerëve grekë.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia Kufitare Kakavijë, e cila ka marrë informacionin nga policia e shtetit grek, raporton KosovaPress.

Policia Kufitare Kakavijë njofton se për qarkullim do të lejohen vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Njëherësh, policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Fermerët grekë gjithashtu dolën në rrugë gjatë fundjavës, duke bllokuar rrugët në disa zona.

Protestat e fermerëve janë të zakonshme në Greqi, por trazirat e fundit shpërthyen për shkak të vonesave në pagesat e subvencioneve pas zbulimeve të kërkesave mashtruese për fondet e BE-së.

Skandali shkaktoi dorëheqjen në qershor të pesë zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe mbylljen graduale të një agjencie shtetërore që merrej me subvencionet bujqësore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat