IDU miraton një tjetër rezolutë mbi Shqipërinë/ Këlliçi: Goditja e radhës për Ramën

Shqipëria

IDU miraton një tjetër rezolutë mbi Shqipërinë/ Këlliçi: Goditja e radhës për Ramën

Më: 6 dhjetor 2025 Në ora: 17:11
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi

Unioni Internacional Demokratik ka miratuar në forumin vjetor të organizatës, një tjetër rezolutë mbi Shqipërinë, e cila ka në themel disa çështje. Teksti i rezolutës së miratuar është publikuar përmes një postimi në rrjetet sociale, nga deputeti i PD-së, Belind Këlliçi.

Deputeti shprehet në postimin e tij se kjo rezolutë e miratuar nga IDU është një tjetër goditje për kryeministrin Edi Rama.

Këlliçi shkruan më tej se në diskutimet mbi këtë rezolutë u ngritën shqetësime për “gjendjen e demokracisë, rënien e shtetit ligjor, krijimin e një narko ekonomie dhe mungesës së sigurisë në Shqipëri”.

Postimi i plotë:

Narkoshteti i drejtuar nga Edi Rama merr goditjen e rradhës, këtë herë direkt nga zemra e botës perëndimore, nga Washington DC.

Në forumin vjetor të IDU (International Democracy Union), Aleancës Globale të Qendrës së Djathtë, organizatë ku bën pjesë dhe Partia Republikane Amerikane, Konservatorët Britanikë, Kristian Demokratët Gjermanë të CDU, etj., Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Republikane paraqitën një rezolutë mbi Shqipërinë e cila u miratua unanimisht nga të gjithë forcat politike prezente në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate botërore.

Në diskutimet mbi këtë rezolutë u ngritën shqtësime serioze për gjendjen e demokracisë, rënien e shtetit ligjor, krijimin e një narko ekonomie dhe mungesës së sigurisë në Shqipëri.

Rezoluta e miratuar ka në themel këto çështje:

1. Rrëshqitje Demokratike: IDU nënvizon shkelje sistemike gjatë zgjedhjeve, përfshirë blerjen e votës, intimidimin dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Mbi 4,500+ aktivitete shtetërore janë përdorur për fushatë për të cilat askush nuk mban asnjë përgjegjësi.

2. Shkrirja Shtet, Parti, Krim: Rezoluta paralajmëron se rrjete kriminale kanë ndikuar listat e kandidatëve dhe proceset politike në Elbasan, Durrës dhe Vorë, duke cënuar integritetin demokratik.

3. Kapja Politike e Drejtësisë: IDU shpreh shqetësim të thellë për hetime të bllokuara, vendime të injoruara nga Gjykata Kushtetuese dhe kontroll në rritje të ekzekutivit mbi prokurorinë, gjyqësorin, median dhe institucionet rregullatore.

4. Përndjekje Selektive e Opozitës: Rezoluta dënon ndjekjet penale me motive politike ndaj disa figurave të opozitës, përfshirë kreun e PD Sali Berisha, kreun e PR Fatmir Mediu dhe kreun e PL Ilir Meta.

5. Shqipëria si Rrezik Narko Shteti: IDU thekson se Shqipëria mbetet një qendër rajonale për trafik droge dhe pastrim parash, një kërcënim për sigurinë evropiane dhe besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së.

6. Thirrje për BE-në, SHBA dhe Këshillin e Europës: Rezoluta kërkon kushte strikte meritokracie për rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe propozon krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar të pavarur për monitorimin e zgjedhjeve, drejtësisë dhe medias.

7. Sanksione të Synuara: IDU kërkon sanksione të synuara ndaj zyrtarëve të lidhur me korrupsion, krimin e organizuar dhe ndjekjen politike në vend.

8. Rreziku i një Regjimi Narko Autoritar: Rezoluta paralajmëron se Shqipëria rrezikon të fundoset në një regjim narko autoritar nëse nuk ndërmerren reforma imediate.

9. Mbështetje për Demokratët dhe Opozitarët Shqiptarë: IDU u bën thirrje anëtarëve të saj të mbeten vigjilentë dhe të mbështesin ata që luftojnë për liri, pluralizëm dhe vlera evropiane në Shqipëri.

Sëbashku me ekipin e përfaqësuar në këtë forum, Albana Vokshi dhe Nikola Kedhi nga PD si dhe kolegët nga PR, Fatmir Mediu, Sention Zotaj dhe Arben Braçe, patëm mundësinë të ngremë këto çështje themelore me të gjithë miqtë tanë në SHBA dhe zyrtarë e përfaqësues të tjerë nga Europa dhe mbarë bota. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat