Arrestohet 29-vjeçari për trafikim ilegal të migrantëve nga Sudani drejt Malit të Zi

Shqipëria

Arrestohet 29-vjeçari për trafikim ilegal të migrantëve nga Sudani drejt Malit të Zi

Më: 21 dhjetor 2025 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

Shërbimet e Policisë Kufitare të Shqipërisë, bazuar në informacionet për një rast të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj kundrejt pagesës për kalim ilegal të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Borders 5”.

Si rezultat i këtij operacioni, në Vukpalaj të Shkodrës u kap në flagrancë shtetasi O. Ç., (29) nga Fushë-Kruja, duke transportuar me automjet tre emigrantë nga Sudani që synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi, raporton KosovaPress.

Në momentin që iu bë shenjë për të ndaluar nga punonjësit e policisë, ai tentoi të largohej, por pas ndjekjes për disa minuta u bë ndalimi dhe shoqërimi i tij.

Shtetasi i kapur ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Numër 7 Tiranë, pasi Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të kësaj gjykate, për caktimin e masës së sigurisë arrest në burg, për veprën penale largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi, duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës 500 euro për person. Policia sekuestroi automjetin me të cilin ai transportonte emigrantët dhe telefonin e tij.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat