Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit policor “Aktiviteti”, u arrestua në flagrancë shtetasi L. S. (54), banues në Pogradec, raporton KosovaPress.
Gjatë kontrollit në lokalin e këtij shtetasi në lagjen numër 1 Pogradec, shërbimet e policisë gjetën një sasi narkotikësh, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një shumë parash e cila dyshohet të jetë siguruar nga ky aktivitet dhe dy telefona mobilë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.