Janë publikuar detaje të reja të mënyrëa sesi u arratis nga spitali i Durrësit i paraburgosuri Altin Ndoci.
Gazetarja e Euronews në Durrës, Lorida Mani, tha se dyshohet se mëngjesin e kësaj të marte, i paraburgosuri Altin Ndoci është arratisur gjatë një vizite mjekësore në spitalin e Durrësit. Ai ishte shoqëruar nga dy efektivë të policisë së burgut, por gjatë kryerjes së analizave ka përfituar nga momenti dhe ka goditur efektivët që prisnin jashtë derës, duke shpëtuar nga mbikëqyrja e tyre.
Pas daljes nga spitali, Ndoci është drejtuar pranë një parkimi ku e priste një makinë Audi e bardhë A7 me targa AA700RS, e cila e ka larguar nga vendi i ngjarjes.
“Dyshohet se mëngjesin e sotëm, Altin Ndoci është paraqitur për kontrolle mjekësore, pasi i përkasin kontrolleve të brendshme. Ai është shoqëruar nga dy efektivë të policisë së burgut. Në momentin që po kryente analizat intime, Altin Ndoci ka përfituar nga rasti dhe është arratisur, duke goditur të dy efektivët që po prisnin jashtë derës së kontrolleve. Pasi ka dalë nga spitali, ai ka ikur drejt parkimit të spitalit, që nuk ka qenë larg nga dera. Sipas burimeve, ka qenë një arratisje e mirëplanifikuar, pasi jashtë parkimit e ka pritur një Audi i bardhë A7 me targa AA700RS, i cili, sipas kamerave të sigurisë, ka ndaluar në derën e pasme të makinës dhe është nisur në rrugë që kanë pak akses nga kamerat. Burimet jozyrtare bëjnë me dije se ai mund të jetë drejtuar drejt rrugës së Fllakës, e cila ka gjithashtu pak mbulim nga kamerat e sigurisë”, tha gazetarja.
Altin Ndoci u arrestua në maj të vitit 2020, i akuzuar nga policia si pjesëmarrës në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj, si dhe të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Durrës.
Më 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë dyshimet për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, duke e shpallur atë të pafajshëm.
Dëshmitë e të arrestuarit Klevis Alla e përfshinin Altin Ndocin në këto katër vrasje, por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi, çka bëri që Altin Ndoci të shpallej i pafajshëm. Nga ana tjetër, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj, Gjykata e Posaçme dënoi Klevis Allën me 25 vite burg.
Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024, ai nuk mundi të dilte nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, bazuar në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, i cili e përmend atë si të përfshirë në disa ngjarje kriminale.