Pasojat e gazit, protestuesit largohen me ambulancë nga sheshi, policia krijon gardhin para Kuvendit

Shqipëria

Pasojat e gazit, protestuesit largohen me ambulancë nga sheshi, policia krijon gardhin para Kuvendit

Më: 24 janar 2026 Në ora: 19:22
Protestë

Me tensione, flakadanë, bombula molotov dhe gaz është shoqëruar protesta e kësaj të shtune e Partisë Demokratike.

Si pasojë e tensioneve dhe hedhjes së bombave molotov, disa punonjës të Policisë kanë mbetur të plagosur. Protestuesit kanë sulmuar efektivët me mjete piroteknike, duke shkaktuar lëndime tek disa prej tyre. Të plagosurit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit.

Ndërkaq, policia është rreshtuar në hyrjen para Parlamentit teksa pritet që nga momenti në moment të afrohen protestuesit.

Ndërkohë, mësohet se edhe ish-kryeministri Sali Berisha është detyruar të largohet nga protesta dhe të shkojë në selinë e Partisë Demokratike, pasi nuk është ndier mirë si pasojë e sasisë së madhe të gazit të hedhur. Aktualisht, Berisha ndodhet në zyrën e tij në seli, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk dihet ende.

Mbetet për t’u parë dhe konfirmuar zyrtarisht, por burime nga terreni bëjnë me dije se sasia e gazit ka qenë e konsiderueshme dhe është përdorur në mënyrë të menjëhershme.

Një pjesë e madhe e bombave tymuese të policisë janë hedhur edhe në drejtim të podiumit dhe zonës ku ndodheshin gazetarët. Raportohet se në atë moment kanë qenë të paktën 10 ose më shumë gazetarë, ndërsa tymi dhe gazi kanë qenë shumë pranë tyre, duke vështirësuar kështu dhe punën e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat