Plagosi me thikë vajzën dhe një kalimtar rasti, lihet në burg babai

Shqipëria

Plagosi me thikë vajzën dhe një kalimtar rasti, lihet në burg babai

Më: 28 janar 2026 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg M.N., i cili disa ditë më parë plagosi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare dhe një kalimtar rasti që ndërhyri për ta ndaluar. Ngjarja e rëndë ndodhi më 26 janar në lagjen nr. 12 të qytetit bregdetar dhe shkaktoi shqetësim të madh në opinionin publik.

Sipas të dhënave zyrtare nga policia, 56-vjeçari kishte shkuar në vendin e punës së vajzës së tij, e cila ishte e punësuar në një agjenci imobiliare. Pas një debati të ashpër mes tyre, ai e ka goditur disa herë me thikë të bijën. Në momentin e konfliktit ka ndërhyrë edhe një shtetas tjetër, O.M., i cili ishte kalimtar rasti dhe tentoi të parandalonte ngjarjen, por për pasojë mbeti edhe ai i plagosur.

Të dy të dëmtuarit u transportuan menjëherë drejt spitalit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe, sipas bluzave të bardha, janë jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa policia ngriti pika kontrolli në disa zona të qytetit për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës.

Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se si motiv i ngjarjes dyshohen konfliktet e vazhdueshme familjare. Prindërit e 24-vjeçares ndodhen në proces divorci, ndërsa marrëdhëniet mes saj dhe babait të saj kanë qenë të tensionuara prej kohësh.

Mësohet gjithashtu se 56-vjeçari kishte vuajtur më pare një dënim me burg në Itali dhe ishte kthyer së fundmi në Shqipëri, ku kishte kërkuar të ribashkohej me familjen. Kjo kërkesë nuk ishte pranuar nga vajza e tij, fakt që dyshohet se ka ndikuar në agravimin e konfliktit. Hetimet vijojnë, ndërsa pritet edhe dëshmia e vajzës së plagosur për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat