Kampusi i ri i Drejtësisë, Lamallari: Sipërmarrja më e sofistikuar arkitekturore e realizuar ndonjëherë

Shqipëria

Kampusi i ri i Drejtësisë, Lamallari: Sipërmarrja më e sofistikuar arkitekturore e realizuar ndonjëherë

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 12:18
Foto ilustrim

Është prezantuar sot në 12 shkurt programi për konkursin ndërkombëtar të Kampusit të Drejtësisë, një pol i ri urban i godinave të sistemit të drejtësisë, për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.

Përpara se të shpallet konkursi, u mbajt edhe dëgjesa e fundit me përfaqësuesit e gjyqësorit.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari e cilësoi Kampusin e Drejtësisë si një investim strategjik që synon modernizimin e sistemit dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi. Në fjalën e tij në ceremoninë e prezantimit të projektit, ai e cilësoi këtë hap si një ndarje të qartë mes së kaluarës me infrastrukturë të fragmentarizuar dhe vizionit për Shqipërinë 2030, ku drejtësia zë një vend qendror në zhvillimin institucional të vendit.

“Kampusi i Drejtësisë është një hap konkret drejt modernizimit dhe sigurisë së sistemit, drejt integrimit të institucioneve dhe drejt rritjes së efikasitetit. Ai është një mesazh i qartë se ne vazhdojmë të investojmë në drejtësi, jo vetëm përmes reformave ligjore, por edhe me mjete reale. Ky projekt është një dëshmi e angazhimit tonë për të vijuar mbështetjen e sistemit gjyqësor në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshme. Sepse një drejtësi moderne kërkon gjithashtu infrastrukturë moderne. Sot vendosim një gur tjetër themeli në këtë rrugë, një investim që do të lërë gjurmë afatgjata në funksionimin e sistemit dhe në perceptimin e qytetarëve për të. Garantimi i drejtësisë për të gjithë është një proces i vazhdueshëm, një proces që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim ndërinstitucional,dhe mbi të gjitha integritet profesional. Bashkë me ambientet e reja, drejtësia që pritet dhe mbështesim nuk është vetëm për këtë mandat të kësaj shumice qeverisëse dhe as vetëm për këtë brez, është për Shqipërinë që ne duam të lëmë pas. Një Shqipëri ku ligji respektohet, ku qytetari ndjehet i mbrojtur dhe ku institucionet janë të forta sepse janë të drejta.Rruga jonë është e qartë: të vazhdojmë të investojmë, të reformojmë dhe të kërkojmë standarde gjithnjë e më të larta, me vizionin përt a vendosur drejtësinë shqiptare në nivelin që meriton, në nivelin e vendeve europiane. Dhe për këtë, angazhimi ynë mbetet i palëkundur e me çdo çmim”, tha Lamallari.

Ministri vlerësoi gjithashtu Reformën në Drejtësi si një nga programet më të rëndësishme dhe transformuese, e cila solli ndryshime kushtetuese, ngritjen e institucioneve të reja dhe një kulturë të re të respektimit të ligjit. Megjithatë, ai theksoi se besimi i qytetarëve mbetet matësi kryesor i suksesit të reformës dhe kërkon reflektim të vazhdueshëm për të garantuar një drejtësi të pavarur, të përgjegjshme dhe të besueshme.

Sipas tij, pavarësia e gjyqësorit sot është më e prekshme se një dekadë më parë, por ajo duhet të shoqërohet me llogaridhënie dhe balancë institucionale. Ministri nënvizoi se roli i politikëbërësve është të sigurojnë kuadrin ligjor dhe burimet e nevojshme për funksionimin e sistemit, pa ndërhyrë në vendimmarrjen gjyqësore.

Lamallari evidentoi edhe sfidat e sistemit, përfshirë vonesat e gjata në shqyrtimin e çështjeve, stokun e lartë të dosjeve të papërfunduara, vakancat në institucione dhe përdorimin e shpeshtë të paraburgimit. Ai theksoi se këto nuk janë thjesht perceptime, por probleme reale që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët dhe kërkojnë zgjidhje konkrete.

“Sot shqiptarët nuk kërkojnë nga drejtësia gjëra të jashtëzakonshme, kërkojnë atë që është normale në çdo demokraci europiane: të trajtohen me dinjitet, të dëgjohen pa paragjykim dhe të mos presin pafund për një vendim që prek jetën apo pronën e tyre. Sot ne kemi nevojë për një drejtësi më humane, që kupton pasojat reale që kanë proceset gjyqësore mbi njerëzit dhe familjet e tyre; një drejtësi më të shpejtë, ku vonesa të mos barazohet me mohim të së drejtës; dhe një drejtësi që funksionon me standarde demokratike, transparencë dhe paanshmëri”, tha Lamallari.

Në përfundim, ministri deklaroi se garantimi i drejtësisë për të gjithë është një proces i vazhdueshëm që kërkon përkushtim institucional dhe integritet profesional, duke theksuar se investimet dhe reformat do të vijojnë me synimin për ta vendosur drejtësinë shqiptare në nivelin e standardeve europiane.

Kampusi i Ri i Drejtësisë është një pol i ri urban që grupon institucionet e sistemit gjyqësor, duke synuar modernizimin e infrastrukturës, integrimin e institucioneve dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi. Ai përfaqëson një investim strategjik për një drejtësi më efikase, transparente dhe të besueshme në Shqipëri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat