“S’ka asgjë të përbashkët me PD” – Salianji i përgjigjet Berishës: Nuk kam nevojë të provoj lidhjen time me partinë!

Shqipëria

“S’ka asgjë të përbashkët me PD” – Salianji i përgjigjet Berishës: Nuk kam nevojë të provoj lidhjen time me partinë!

Më: 14 shkurt 2026 Në ora: 14:49
Sali Berisha dhe Ervin Salianji

Ervin Salianji i është përgjigjur Sali Berishës pasi kreu i PD deklaroi se ish deputeti ishte një pasardhës i Lulzim Bashës dhe se nuk kishte asgjë të përbashkët me partinë.

Në një reagim në rrjete sociale, ish deputeti është shprehur se nuk ka nevojë  që të tregojë lidhjen e tij me Partinë Demokratike, pasi kontributi dhe sakrifica që ka bërë ai janë të njohura për çdo demokrat. Salianji thekson se partia nuk është pronë personale e Berishës dhe as një instrument për të “mbytur” mendimin ndryshe, por shtëpia politike e demokratëve që kanë sakrifikuar.

“Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit.”

Ai shton se sot e vetmja gjë që pyesin demokratët është se përse opozita nuk po fiton dhe frymëzon. Salianji thekson se opozita nuk duhet t’i konsumojë energjitë për përplasjet e brendshme por të punojë për hapje dhe riorganizim. Më tej, ai shton se do t’i vijojë takimet me demokratët dhe se do të paraqesë edhe një platformë konkrete për ta bërë Partinë Demokratike më të fortë.

“Unë do të vazhdoj takimet me demokratët dhe do të paraqes një platformë konkrete për ta bërë Partinë Demokratike më të fortë, më të hapur dhe më konkurruese. Askush nuk mund ta përjashtojë vullnetin e demokratëve për ndryshim. Qetësia, përgjegjësia dhe vendosmëria janë rruga ime. Përçarja nuk është alternativë. Fitorja është.”, shto ish deputeti.

Salianji e shoqëron postimin edhe me një deklaratë të Sali Berishës se ish deputeti është në “procesin e martirizimit për fjalën e lirë dhe interesat e demokratëve”.

Reagimi i plotë:

Nuk kam asnjë nevojë të provoj lidhjen time me Partinë Demokratike. Kontributi im, beteja ime,  sakrifica që kam si pakkush janë publike dhe të njohura për çdo demokrat.

Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit.

Sot qytetarët nuk pyesin kush përjashton kë. Ata pyesin pse opozita nuk fiton. Pse nuk frymëzon? Pse nuk organizohet si alternativë qeverisëse, por mjaftohet me retorikë dhe justifikime.

Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që konsumon energjinë në përplasje të brendshme. Ka nevojë për hapje, për riorganizim dhe për lidership që bashkon, jo që ngushton.

Unë do të vazhdoj takimet me demokratët dhe do të paraqes një platformë konkrete për ta bërë Partinë Demokratike më të fortë, më të hapur dhe më konkurruese. Askush nuk mund ta përjashtojë vullnetin e demokratëve për ndryshim. Qetësia, përgjegjësia dhe vendosmëria janë rruga ime. Përçarja nuk është alternativë. Fitorja është.

Çfarë tha Berisha

Berisha shënjeshtroi Ervin Salianjin, duke e cilësuar si pasardhësi i Lulzim Bashës. Në komunikimin live me ndjekësit, kryedemokrati theksoi se këto dy figura nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me PD.

“Ne kaluam një proces, siç e dini, dhe ky proces u zhvillua me një moto për një PD më të hapur, të fortë dhe të bashkuar. Unë nuk dua t’i mbaj kohën atyre që na ndjekim, por kjo moto ishte e domosdoshme se ajo që ndodhi me ne krijoi përçarje. Ky proces u finalizua mendoj se demokratët u bashkuan, por përsëri mbi bazën e kontributit që kanë nuk ia mohoj asnjë njeriu. Nuk bëhet fjalë për Bashën dhe pasardhësin e tij Salianji. Për këta nuk mund të bëhet fjalë, se këta janë fat këqinj, njerëz të keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama. Mund të thuash janë deshër të errësirës. E patë Dash Sulën? Këta janë lloj Dash Sule me petkun e demokratit. Nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me PD as njëri dhe as tjetri.”, tha Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat