Reagon sërish Koçiu: Përgjigjja institucionale do të jetë e paprecedentë

Shqipëria

Reagon sërish Koçiu: Përgjigjja institucionale do të jetë e paprecedentë

Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 23:14
Pamje nga vendi i ngjarjes

Aktualisht janë 11 protestues të ndaluar nga policia pas akteve të dhunshme në rrugët e Tiranës mbrëmjen e sotme.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar sërish pas akteve të dhunës nga protestuesit e opozitës gjatë marshimit në Tiranë, duke i cilësuar ato si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë shqiptare, turizmit dhe imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Sipas Koçiut, “u vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë”.

Koçiu theksoi se, “sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale”.

Sipas ministres, ajo që ndodhi në rrugët e Tiranës nuk mund të konsiderohet protestë demokratike, por “një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë”.

Ministrja shtoi se ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit.

“Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore”, nënvizoi ministrja.

Ky sulm sipas ministres “ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet”.

“Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit”, shkruan Koçiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat