Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sërish deklaratën fyese të kreut të grupit të PS Taulant Ballës ndaj deputetes Albana Vokshit gjatë seancës parlamentare të ditës së enjte, së cilës i tha “për ty kam numrin 0900”.
Berisha tha se Balla veproi si ordiner, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar sjelljen si një hakmarrje të verbër e primitive.
“Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj aktivistëve dhe protestuesve paqësor para kryeministrisë të Lapajt dhe heqjen e çadrës së tyre. Ky është një akt, antiligjor, i turpshëm i një frikacaku që ka tolerancë zero ndaj kundërshtatëve.
Sikundër dënoj, aktin kriminal dhe banditesk të Taulant Ballës në parlamentin shqiptar, me porosi të Edi Ramës, në një hakmarrje të verbër, primitive ndaj Albana Vokshit e cila ka qenë zë i fuqishëm në mbarë komunitetin ndërkombëtar ndaj narkoregjimit. Edi Rama urdhëroi Taon e tij për të përdorur një gjuhë prej stërodineri, një gjuhë me të cilën ai meriton ndëshkimin më të madh.”, tha Berisha.
Më tej, ai komentoi edhe përjashtimin me 20 ditë të deputetit të partisë Mundësia Agron Shehaj, pas përplasjes në seancën e së hënës për shkak të deklaratave të tij për banorët e Rrjollit që protestojnë prej kohësh.
“Dënon gjithashtu përjashtimin pa asnjë motiv 20 ditë të deputetit Agron Shehaj nga parlamenti, si një verbëri e Edi Ramës, sepse të gjitha kryhen me urdhër të Edi Ramën, dhe si një përpjekje për të shuan çdo zë opozitar.”, shtoi ai.