Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ndau një koment politik edhe për reagimin e komisioneres Marta Kos sot në emër të BE-së, në lidhje me kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për anëtarësim të shpejtë në Union pa të drejtë vote, duke ua rrëzuar.
Ligjvënësi demokrat e përshëndeti deklaratën e Kos, duke shtuar se ishte reagim në emër të BE-së dhe jo personal, teksa shpjegoi se dyshja Rama-Vuçiç “kërcejnë tango dhe luajnë basketboll duke bërë kosha së bashku, sepse janë në vështirësi”.
“Veprim për t’u përshëndetur, por jo personal i Marta Kos. Është veprim dhe reagim i mbështetur tek Bashkimi Evropian. Nuk lejon të veprohet jashtë strukturave të BE dhe projekteve ekonomike të BE”, tha ai.
Deputeti shpjegoi se tezat Rama-Vuçiç bëhen për interesa personale dhe të ruajtjes së pushtetit.
“Janë teza politike të ruajtjes së pushtetit të tyre përkatës. Vuçiç kërkon të ruajë pushtetin e tij dhe gjithashtu Rama, ka qenë tango e rakorduar, e luajtur shumë mirë, kanë marrë edhe përkëdhelje nga faktori i huaj, duke bërë edhe basketboll me njëri-tjetrin, duke bërë kosha dhe përgëzuar njëri-tjetrin. Ndaj kanë luajtur këtë tango, sepse janë në vështirësi. Tejkalojnë dhe qëndrimet e tyre personale, ndaj BE nuk mund të lejojë veprime të tilla dhe ka reaguar, sepse këto reagime i shërbejnë shëndoshjes ekonomike dhe politike të saj”, tha deputeti demokrat.
Ai shpjegoi se BE nuk anëtarëson drejtues vendesh, por shtetet dhe me projekte të caktuara e me meritokraci, duke vënë në dukje se Shqipëria ndodhet aktualisht në autokraci.
Boçi vuri n dukje se sinjalet e forta nga Evropa Rama i ka marrë, sidomos për çështjen e mbrojtjes që i bëri Belinda Ballukut, e shkarkuar, pezulluar dhe e pandehur nga SPAK-GJKKO për abuzim me tenderët dhe detyrën.
“Qëllimi i BE është anëtarësimi i vendeve dhe jo i atyre që drejtojnë vendet dhe bëjnë autokraci. Nuk është ky rast, por edhe të tjera, si Këshilli i Evropës ka qenë i ashpër ndaj Ramës për çështjen Balluku. Sinjale të forta që edhe Ramën po e çojnë drejt këtij imponimi”, përfundoi nënkryetari i PD.