Dy vëllezërit rrëmbyen ndërtuesin, Gjykata e Tiranës jep vendimin

Shqipëria

Dy vëllezërit rrëmbyen ndërtuesin, Gjykata e Tiranës jep vendimin

Më: 16 prill 2026 Në ora: 12:48
Foto ilustrim

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dy vëllezërit Jurgen dhe Kevin Neza, si dhe për kushëririn e tyre, Hysen Neza, të dyshuar për rrëmbimin e ndërtuesit Florjan Sula disa ditë më parë.

Gjatë seancës gjyqësore, tre të arrestuarit nuk kanë dhënë deklarime, ndërsa avokati i tyre mbrojtës ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për rrëmbim. Sipas tij, Florjan Sula u detyrohej atyre rreth 60 milionë lekë dhe takimi me të është bërë për sqarimin e kësaj çështjeje, duke e marrë fillimisht me automjet.

Avokati ka shtuar se, pasi kanë konstatuar pamundësinë financiare të Sulës për të shlyer shumën e pretenduar, ata e kanë lënë të lirë.

Po sipas mbrojtjes, njëri prej të arrestuarve është vetëdorëzuar pasi ka mësuar se ishte në kërkim, ndërsa dy të tjerët ndodheshin në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e lëndëve narkotike. Megjithatë, për këto pretendime nuk është paraqitur asnjë dokumentacion në gjykatë.

Sipas hetimeve paraprake, tre të rinjtë janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe dyshohet se kanë rrëmbyer 32-vjeçarin, duke e mbajtur për disa orë në një subjekt privat.

Më 31 mars, sipas dosjes hetimore, ata dyshohet se kanë rrëmbyer dhe dhunuar Florjan Sulën, duke i kërkuar 1 milion euro për lirimin e tij. Sula, sipas hetimeve, u ka premtuar fillimisht një shumë prej 500 mijë eurosh, ndërsa pas lirimit të tij ka bërë kallëzim në polici.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat