Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish lidhur me procesin penal ndaj tij, duke e cilësuar çështjen me motive politike. Me anë të një postimi të gjatë në Facbook, Meta ka kërkuar transparencë të plotë mbi procedurat hetimore dhe provat e administruara nga organet e drejtësisë.
Meta deklaron se fokusi duhet të jetë te “legjitimiteti dhe transparenca e procesit”, të cilat sipas tij janë në interes publik dhe demokratik.
Ish-presidenti i Republikës pretendon se prej vitesh ndaj tij është zhvilluar një hetim i motivuar politikisht, ndërsa akuzat për korrupsion dhe pastrim parash i konsideron të pabazuara dhe të pambështetura në prova konkrete.
Postimi i plotë
Çështja Meta: Transparenca dhe legjitimiteti është interes publik dhe demokratik
Që farsa kundër Ilir Metës është një operacion i mirëfilltë kriminal mediatiko-ligjor i orkestruar vetëm për qëllime politike me synim gjymtimin e pluralizmit politik dhe interesave kombëtare, kjo është shumë e qartë.
Por tani është koha të fokusohemi te transparenca dhe legjitimiteti i procesit, si interes publik dhe demokratik.
Provokimi terrorist i rrëmbimit të kryer 20 muaj më parë, më 21 tetor 2024, pasi opinioni publik ishte helmuar me një propogandë të shfrenuar për gati 20 vite, synonte të fshihte të vërtetën e madhe se edhe pse veprimet hetimore zyrtarisht kundër Ilir Metës kishin nisur procedurialisht që në vitin 2018, duke marrë persona në pyetje për Ilir Metën që ishte President i Republikës, kishte qenë e pamundur të provohej edhe një kundravajtje administrative apo penale, e jo më vepra të tilla si korrupsioni apo pastrimi i parave.
Por debati u përqëndrua te rrëmbimi si për të fshehur dështimin e prokurorëve specialë për të gjetur qoftë edhe një akt të parregullt administrativ të Ilir Metës që nga viti 1992 ashtu edhe pamundësinë për të justifikuar sekuestrimin e një qindarke të paligjshme apo një metër katror pasuri të paluajtshme të pajustifikuar.
Madje rrëmbimi ndodhi pa akuzë formale, por si person nën hetim i dyshuar për disa vepra penale sipas tyre.
U hap edhe alibia se prokurorët ishin “mërzitur” me banditin Ilir Proda për mënyrën e arrestimit, pra rrëmbimit, por në 23 tetor 2024, kur u pyetën nga Gjyqtari Erion Çela se si ishte kryer arrestimi, ata përmes Z. Arben Kraja u përgjigjën: “Sipas ligjit”.
Ndërkohë, një nga akuzat kryesore të pretenduara ishte ajo e lobimit të paligjshëm me “McKeon Group”, që u plasua në ballinën e revistës sorosiste “Mother Jones”, që në vitin 2018 dhe u rifreskua me bujë 4 vite më vonë në ballin e bulevardeskes austriake “Kronen Zeitung”.
Madje për këtë, siç rezulton përpara rrëmbimit tim, kishte ardhur edhe një përgjigje nga Autoritetet Gjyqësore Amerikane në shtator 2024 (para rrëmbimit), që bazuar në portalin FARA vërtetohej se LSI, në fund të prillit 2017, kur unë isha zgjedhur nga Kuvendi në detyrën e Presidentit të Republikës, kisha bërë takime me senatorë dhe kongresmenë përmes “Dorelita”-s, një kompani e një avokati mashtrues greko-amerikan, të cilin unë e kisha denoncuar si të tillë që më 30 janar 2017, siç provohet edhe nga letra zyrtare që Presidenti i “McKeon Group” i dërgon Departamentit të Drejtësisë ku e njofton se marrëveshja që ishte regjistruar në portalin FARA midis tij dhe greko-amerikanit Fidetzis ishte e paligjshme pasi ai nuk kishte patur autorizimin e LSI.
Por çuditërisht pas zgjedhjeve amerikane të 4 nëntorit 2024, i njëjti autoritet gjyqësor amerikan çon brenda 11 ditësh (pra më 15 nëntor 2024) një përgjigje tjetër, ku saktëson kompaninë që kishte bërë pagesën për “Dorelita”, e cila nuk kishte asnjë lidhje me LSI dhe Ilir Metën.
Ky fakt i ri kurrë nuk na u bë i ditur deri në qershor 2025 pasi Edi Rama kishte rrëmbyer 83 mandate deputetësh edhe me ndihmën e Task-Forcës së SPAK-ut.
Kjo mungesë transparence dhe neutraliteti ishte dhe mbetet lehtësisht e kuptueshme për çdo njeri që ka dy pare mend në kokë.
Pasi rrëzimi i kësaj akuze, jo vetëm vinte në pikëpyetje edhe tërë akuzat e tjera, por mund të përdorej nga ana e jonë si argument për të ndryshuar masën ekstreme të paraburgimit përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Jo vetëm kaq, por çuditërisht edhe gati 2 muaj pasi kishte ardhur përgjigjja shteruese se LSI kishte paguar vetëm 15 mijë dollarë të ligjshme dhe nuk kishte lidhje me marrëveshjen e pavarur që “Dorelita” e Fidetzis kishte me “McKeon Group”, në Prokurorinë e Posaçme, në prani edhe të avokatit tim , Z. Genc Gjokutaj, pyetem përsëri për këtë çështje më 7 Janar 2025, ku përgjigjet e mia ishin të njëjta si përpara rrëmbimit dhe siç u saktësua (por pas zgjedhjeve amerikane) nga autoritetet amerikane më 15 nëntor 2024 që nuk na u njoftua kurrë.
Ndërsa kulmi i “paanshmërisë” dhe “neutralitetit” ishte kur na u njoftua akuza si i pandehur, se ky episod kishte rënë.
“Pra u sqarua, – i themi ne, – puna e lobimeve meqënëse rasti i ‘McKeon Group’ ishte i vetmi ku unë isha i përfshirë drejtpërdrejt”.
“Jo, – na thanë, – ra akuza për ‘McKeon Group’, por vazhdon për lobimin me GSIS ku unë nuk kam asnjë nënshkrim, autorizim për pagesë, etj”.
Por më fantastikja është përgjigjja nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA më 15 Korrik 2024 drejtuar Drejtoreshës së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë këtu, Znj. Alba Thoma, ku e njofton se në vijim të kërkesës për konfidencialitet, më 23 qershor 2024, një Gjykatë në SHBA ka urdhëruar që ekzekutimi nga ana jonë e kërkesës tuaj të trajtohet si konfidenciale dhe e padisponueshme për publikun për 2 vjet.
Gjithashtu autoritetet amerikane kanë urdhëruar GSIS që për dy vjet të mos i japë asnjë informacion LSI–së.
Pra me kërkesën e autoriteteve shqiptare, LSI-së duhej t’i ndalohej e drejta për t’i kërkuar informacion kompanisë GSIS për t’i kërkuar informacionin për të cilin e ka paguar në bazë të një kontrate të ligjshme të regjistruar në SHBA dhe Shqipëri.
Mbetet për t’u sqaruar deri në fund kjo kërkesë skandaloze, nëse është bërë vërtet nga Prokurorët e SPAK-ut apo e ka bërë Ulusiu me kokën e vet.
Por të akuzosh një njeri si në rastin Meta, për të cilin nuk ekziston asnjë firmë, autorizim pagesash si rasti i GSIS dhe t’i pamundësosh atij që për dy vjet të paktën deri më 23 qershor 2026, ta ketë të pamundur të garantojë provat që e shfajësojnë nga akuzat apo që të mos ketë mundësi kontrolli të ligjshmërisë së provave të pretenduara nga akuza, do të thotë të shkatërrosh me vetëdije procesin e rregullt ligjor, pasi synon t’i heqësh të drejtën e mbrojtjes efektive dhe provimit të pafajësisë të akuzuarit, ndërkohë që nuk je në gjendje vetë si organ i akuzës të provosh fajësinë, pra që Ilir Meta ka shkelur kontratën GSIS – LSI, e cila është shumë preçize, apo që Ilir Meta të ketë patur dijeni për pagesa të parregullta nga LSI për GSIS.
Ky arbitraritet i pashëmbullt procedural dhe institucional është i orkestruar, pasi ata e dinë shumë mirë se me kontratën e nënshkruar më 3 shkurt 2016 midis LSI e GSIS është tërësisht e verifikueshme përgjegjësia e çdo personi në LSI, të cilit i janë dërguar faturat nga GSIS dhe po kështu personi në LSI që ka autorizuar çdo pagesë për GSIS.
Dy mbeten mundësitë kryesore të këtij bllokimi arbitrar.
Varianti i parë është që persona të caktuar në LSI të kenë bërë veprime të parregullta pa dijeninë e Ilir Metës dhe tani përmes mungesës së transparencës janë marrë në mbrojtje nga SPAK-u që të punonin për PS në 11 Maj 2025.
Varianti i dytë është që marrëveshja e 3 shkurt 2016 të jetë modifikuar me pëlqimin e dy palëve, por absolutisht pa dijeninë e Ilir Metës dhe mbahet e fshehtë.
Natyrisht, që ekziston edhe një varianti i trete që thjesht kemi një bllof të prokurorëve në bashkëpunim me kolegët e McGonigalit në Departamentin e Drejtësisë që mund të kenë mbetur ende në zyra nga ana tjetër e oqeanit.