Lamallari takohet me Kancelarin e Austrisë dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s: Shqipëria ka bërë progres, mbështetje për integrimin në BE

Shqipëria

Lamallari takohet me Kancelarin e Austrisë dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s: Shqipëria ka bërë progres, mbështetje për integrimin në BE

Më: 23 maj 2026 Në ora: 10:51
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim të veçantë në kuadër të Europa Forum Wachau në Austri me Kancelarin austriak, Christian Stocker, si dhe ish- Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Lamallari shkruan në rrjetet sociale, se gjatë takimit ka marrë një mesazh të qartë mbështetjeje për rrugën europiane të Shqipërisë dhe për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të vendit në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.

“Një takim krejt i veçantë në Europa Forum Wachau ishte ai me Kancelarin e Austrisë, Christian Stocker dhe ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Mora prej tyre një mesazh të qartë mbështetjeje për rrugën europiane të Shqipërisë dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të vendit tonë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike”, shkruan Lamallari.

Ministri i Punëve të Brendshme thekson gjithashtu, se progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian po njihet dhe vlerësohet gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë.

“Shqipëria ka dëshmuar në vijimësi se është një aleate e denjë në NATO dhe një vend që meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian, falë reformave, stabilitetit dhe angazhimit të palëkundur për vlerat perëndimore. Progresi që ne kemi bërë në rrugën e integrimit, reformat, forcimi i institucioneve dhe roli konstruktiv si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, njihet dhe vlerësohet gjerësisht në të gjitha kancelaritë europiane”, përfundon ministri Lamallari.

Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Europa Forum Wachau, një nga forumet më të rëndësishme të diskutimeve politike dhe strategjike në Europë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat