Përfundon marshimi i protestës së 46-të, qytetarët vazhdojnë kërkesën për dorëheqjen e Ramës

Shqipëria

Përfundon marshimi i protestës së 46-të, qytetarët vazhdojnë kërkesën për dorëheqjen e Ramës

Më: 15 korrik 2026 Në ora: 19:57 Përditësuar në ora: 22:49 më 15.07.2026
Protesta në Tiranë

Përfundon marshimi, mbyllet protesta e 46-të qytetare

Mbyllet marshimi i qytetarëve në rrugët e kryeqytetit, në ditën e 46-të të protestës. Pas tubimit para godinës së Kryeministrisë, protestuesit u ndanë në dy grupe, duke ndjekur itinerare të ndryshme në qendër të Tiranës.

Një pjesë e protestuesve marshoi në drejtim të Parlamentit dhe më pas përgjatë Rrugës së Elbasanit, ndërsa grupi më i madh përshkoi zonën e 9-Katësheve, 15-Katëshit, Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë, për t'u rikthyer sërish para godinës së Kryeministrisë, aty ku u mbyll edhe protesta e sotme.

Gjatë marshimit, turma e protestuesve brohoriti në kor një sërë thirrjesh kundër qeverisë dhe klasës politike, mes tyre "Parlamenti i krimit!", "Rama jep dorëheqjen!", "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ju erdhi fundi!", si dhe slogane të tjera që kanë shoqëruar protestat që prej nisjes së tyre.

Protestuesit përsëritën edhe një herë kërkesat e tyre për ndryshim politik, duke theksuar se tubimet do të vijojnë çdo ditë në orën 19:00, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre kundër sistemit aktual të qeverisjes dhe gjithë kastës politike.

Marshimi masiv nuk ndalet në rrugët e Tiranës, qytetarët me thirrje të forta: Arrestoni Ramën!

Qytetarët po vijojnë marshimin masiv në rrugët e kryeqytetit. Pasi u ndalën përpara Parlamentit, protestuesit kanë rifilluar lëvizjen përgjatë akseve kryesore të Tiranës.

Në këto momente, bulevardet po ushtojnë nga një thirrje e re dhe e prerë e turmës së revoltuar.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si “Rama, jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!” dhe “Shqipëria kërkon revolucion!”, ndërsa kanë brohoritur edhe kundër Sali Berishës.

“Rama, Sala, f*ck you!” dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg!, u dëgjuan të thërrisnin ata teksa marshonin drejt Rrugës së Elbasanit.

“Braçe më sulmoi më quajti drogaxhi”- Fleti shqiptari nga Londra: Nuk i trembem kërcënimeve! Çdo njeri që i thotë të vërtetën e sulmojnë si kriminelë

Shqiptari nga Londra, që u sulmua me fjalor fyes nga Erion Braçe një ditë më pare foli në protestën e 46-të.

Ai deklaroi se këdo që i thotë të vërtetën mazhorancës ata e sulmojnë si kriminelë.

Sakaq shtoi se diaspora sakrifikon për vendin, ndërsa qeveria i kërkon vetëm votën.

Protestuesi: U sulmova nga Braçe duke më quajtur drogaxhi. Droga u mboll në 2015 me qeverinë Rama. Kam 46 ditë këtu mesazhin e tim e kam dhënë me dronin ngritur në fillim. Mesazhin kam dashur ta përcjellë me video. Nuk kemi frikë. Diaspora nuk ka frikë. Nuk i trembemi kërcënimeve tuaja. 500 mesazhe më kërcënonin ska problem. Çdo njeri që i thotë të vërtetën në sy i sulmojnë si kriminelë. Diaspora e quajnë të pavlerë. Diasporën që sakrifikon. E kërkojnë vetëm për vota. E dinë shumë mirë që nuk ka heqin dot nga puna dhe nuk na përdorin si patronazhistë. Nuk i trembem. Duhet të bashkohemi në shesh çdo ditë e më shumë. Këta nuk pyesin për flamingove, më falni nuk pyesin për njerëzit jo më për flamengot.

“Jemi bashkë për rrëzimin e kryeministrit!”- Aktivisti Arben Kola: Mos u ndikoni nga propaganda! Rama dhe Berisha janë bashkë!

Aktivisti Arben Kola, nga protesta e radhës kundër qeverisë, u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë qëndresën dhe të mos ndikohen nga propaganda, duke deklaruar se synimi i tyre është largimi i kryeministrit Edi Rama.

Duke folur për sloganin “Shqipëria e re”, Kola tha se kjo ide lidhet me breza të ndryshëm të shoqërisë, nga të moshuarit te të rinjtë dhe fëmijët.

“Shpeshherë na pyesin se çfarë është parrulla ‘Shqipëria e re’. Janë mosha e tretë, ne dhe fëmijët që përbëjmë këtë mozaik”, tha ai.  Kola u shpreh se protesta është rezultat i pakënaqësisë ndaj qeverisjes, duke përmendur si çështje shqetësimet për mjedisin, korrupsionin dhe zhvillimet në zona të mbrojtura.

“Prania juaj këtu është rezultat i keqqeverisjes. Gjithçka nisi me betejat për lumenjtë, detet dhe kundër korrupsionit”, deklaroi ai.

Aktivisti akuzoi gjithashtu se “Rama dhe Berisha janë bashkë” për çështje të caktuara, duke përmendur shkatërrimin e Valbonës dhe Rrjollin.

“Rama dhe Berisha janë bashkë për shkatërrimin e Valbonës, janë bashkë edhe në Rrjoll, ku u tërhoqën zvarrë banorët. Mos u dorëzoni dhe mos u ndikoni nga propaganda. Jemi bashkë për rrëzimin e Edi Ramës”, përfundoi Kola.

Aktivisti Arben Kola: Shpeshherë na pyesin se çfarë është parrulla “Shqipëria e re”. Janë mosha e tretë, ne dhe fëmijët që përbëjmë këtë mozaik. Shqipëria e re është themeluar nga rilindasit. Ju ftoj të blini ose të lexoni veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?”. Ky manifest është hartuar në Bukuresht. Lexojeni, kuptojeni dhe zbatojeni.

Pjesa më e madhe kanë lexuar librat e George Orwell, por në kohën e Covid-it u dorëzuan. Disa këtu në shesh nuk u dorëzuan dhe kundërshtuan atë që e quajnë diktaturë komediane. Manifesti për Shqipërinë e re është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”.

Jam këtu çdo ditë në shesh. Nuk kam nevojë për protagonizëm. Ëndrra ime është një Shqipëri e lirë dhe demokratike. Synimi është zgjimi i kombit shqiptar. Prania juaj këtu është rezultat i keqqeverisjes. Gjithçka nisi me betejat për lumenjtë, detet dhe kundër korrupsionit.

Rama dhe Berisha janë bashkë për shkatërrimin e Valbonës, janë bashkë edhe në Rrjoll, ku u tërhoqën zvarrë banorët. Mos u dorëzoni dhe mos u ndikoni nga propaganda. Jemi bashkë për rrëzimin e Edi Ramës.

“Snezhana Paunoviç tha se do bënte spastrim etnik ndaj shqiptarëve”- Aktivisti Ilir Xhemalaj: Rama nuk ka bërë ende një deklaratë! Ky shesh shpall non grata atë, ministren serbe dhe Vuçiçin

Aktivisti Ilir Xhemalaj kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama nga protesta e 46-të, për mos mbajtjen qëndrim ndaj deklaratve gjenocidale të ministres serbe Snezhana Paunoviç.

Xhemalaj deklaroi gjithashtu se qeveria u detyrua të bëjë hapa pas dhe të pranojë disa kërkesave të protestës.

Ilir Xhemalaj: Ka 48 orë që një ministre serbe që quhet Snezhana ka deklaruar se do bënte spastrim eetnik mbi shqiptarët. I kërkoj qeverisë dhe Ramës që nuk ka bërë asnjë deklaratë dhe nuk ka mbajtur qëndrim ndaj kësaj zonje.

Duhet ta shpallë non grata. Ky shesh e ka shpallur non grata Snezhana Paunovic, Ramën dhe Vuçiçin. Në Bruksel tha se do anulojë ligjin për investitorët strategjikë, për zonat e mbrojtura. Ne duam dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nuk mund të fshihet më. Është një lider që nuk ka përfaqësinë e popullit të vet. Duhet të rikujtoj, përveç 20 djemve që arrestuan ditën e parë sot ndodhet në burg edhe një prej nesh që e arrestuan duke pirë kafe te Tajvani.

“Dua Lipa u shpreh hapur për Revolucionin e Flamingove. Të presim në shesh ”/ Kokaj: Marta Kos u detyrua t’i vendosë kusht qeverisë plotësimin e kërkesave

Aktivistja Luçiana Kokaj në podiumin para Kryeministrisë deklaroi se artistja shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa ka dalë në mbështetje të Revolucionit të Flamingove. Ajo tha se lufta do të fitohet kur kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.

“Janë 46 protesta dhe do të jenë sa të jetë e nevojshme. Këta që na kanë marrë peng Shqipërinë duhet të shkojnë para drejtësisë.

Që nuk jemi vetëm e kemi parë çdo ditë ndaj sot dua të falënderoj një nga bijat tona dhe që është shprehur hapur për Revolucionin e Flamingove, faleminderit Dua Lipa dhe të presim në shesh.

Marta Kos u detyrua t’ia vendosë detyrim qeverisë plotësimin e kërkesave tona,ia kemi dalë dhe do t’ia dalim çdo ditë e më shumë. Kjo është një fitore e madhe për ne. Mos u trembni kur iu thonë që jeni pak. Anulimi i ligjit do të jetë fitorja jonë e parë, por luftën do ta fitojmë kur këta të shporren”, tha ajo.

Protesta e 46-të, pankartat ironike të qytetarëve: Bukë nuk ka, spektakël ka plot! Populli nuk dorëzohet

Në protestën e 46-të radhazi në Tiranë, qytetarët kanë shfaqur pankarta me mesazhe ironike dhe kritike ndaj qeverisë, korrupsionit dhe situatës politike në vend.

Në disa prej tyre përsëriten thirrjet kundër Ramës, Berishës dhe Belinda Ballukut, si:“Rama n’burg, Berisha n’burg, Balluku n’burg! Nesër edhe më shumë” dhe “Kur padrejtësia bëhet ligj, qëndresa bëhet detyrë.”

Një tjetër pankartë ironizonte kryeministrin me një figurë të tij si gjel, ku shkruhej: “Lloj i ri gjeli zbulohet në Shqipëri… Bukë nuk ka, spektakël ka plot.”

Protestuesit kishin përgatitur edhe një listë me mesazhe në anglisht dhe shqip kundër atyre që ata i cilësojnë si probleme të vendit: “Jo korrupsionit, jo arrogancës, jo papërgjegjshmërisë, jo heshtjes, jo propagandës, jo varfërisë, jo vjedhjes, jo padrejtësisë, jo shtetit parti, jo shtetit të kapur.”

Lexo lajmin e plotë këtu!

“Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar!”/ Nis marshimi i madh drejt Kryeministrisë, protestuesit mbushin rrugët me thirrje për dorëheqje

Tensioni dhe revolta popullore po kulmojnë sërish në kryeqytet.

Protestuesit sapo kanë nisur marshimin masiv drejt godinës së Kryeministrisë, duke shënuar kështu nisjen e një tjetër dite qëndrese të vendosur.

Me thirrje të fuqishme, turma e qytetarëve po përparon përgjatë bulevardit kryesor duke kërkuar largimin e menjëhershëm të kreut të qeverisë.

Në kor dëgjohen thirrjet e përsëritura dhe të tensionuara: “Rama jep dorëheqjen!” dhe “Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar!”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat