“Jemi një!” – Diaspora me mesazhe të forta në protestën e 76-të kundër qeverisë Rama

Shqipëria

“Jemi një!” – Diaspora me mesazhe të forta në protestën e 76-të kundër qeverisë Rama

Më: 14 gusht 2026 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 23:00 më 14.08.2026
Protesta në Tiranë

“Jemi një!” Ky është mesazhi që kanë lënë protestuesit në bulevard sot, në protestën e 76-të kundër qeverisë.

Qytetarët dhe diaspora vazhdojnë marshimin në Tiranë, ndërsa përsërisin thirrjet se kryeministri Edi Rama ka mbaruar. 

“Edi Rama ka mbaru” brohorasin ata teksa përshkrojnë rrugët për t’u kthyer sërish përpara Bulevardit para Kryeministrisë.

Mesazhi lidhet me pjesëmarrjen e diasporës në protestë, e cila zbriti në shesh ditën e sotme në mbështetje të atyre që kanë dalë në shesh para Kryeministrisë për 76 ditë me radhë dhe shprehen të vendosur se nuk do të largohen deri në largimin e kryeministrit Rama.

Diaspora do të jetë edhe në dy ditët e ardhshme prezente në protestë.

“Diaspora është me ne!” – Pas fjalimeve te Kryeministria, nis marshimi nëpër Tiranë! Qytetarët thirrje: Rama jep dorëheqjen

Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, qytetarët nisën marshimin nëpër Tiranë. Sikurse ishte paralajmëruar, sot atyre iu është bashkuar edhe diaspora.

Teksa ecin nëpërkryeqytet, ata bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, arrestimin e tij por edhe të liderit opozitar Sali Berisha.

Sot ishin emigrantët ata që folën gjatë fjalimeve, të cilët kanë ardhur posaçërisht për të protestuar në Tiranë.

Në fjalimet e tyre, ata reflektuan problemet që i detyruan që të largohen jashtë vendit nga keqqeverisja.

“Shqipëria e rinisë, jo e partisë” , “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Diaspora është me ne”, thërrasin ata.

“Po përgatitet alibia se turizmi dështoi prej protestës” – Gent Progni: Mos ia kaloni qytetarëve faturën e qeverisjes tuaj!

Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni denoncoi nga protesta se qeveria po përgatit alibinë se turizmi në vend dështoi për shkak të protestave që vijojnë prej më shumë se 70 ditësh kundër Edi Ramës.

Teksa mori fjalën në protestë, ai theksoi se qeveria nuk mund ta faturojë fajin tek qytetarët. Ai theksoi se turistët nuk tremben nga protestat paqësore pasi në vendet ku vijnë ata protesta është pjesë normale e demokracisë.

Ai theksoi se nëse një turist largohet, kjo ndodh për shkak të mungesës së standardeve, pasigurisë si dhe shtetit që nuk funksionon.

“Dua t’i përgjigjem një retorike që po përgatitet prej kohësh. Thonë se protesta po dëmton turizmin. Jo, turisti nuk largohet sepse disa qytetarë dalën në shesh dhe kërkojnë llogari nga qeveria. Por largohen kur një destinacion turistik zhvillohet pa plan, pa standardet dhe pa menduar se çfarë eksperience do të ketë njeriu që vjen këtu. Këtu fillon problemi i vërtetë se kur modeli dështon duhet gjetur një fajtor. Turizmi nuk shkoi mirë për shkak të protestave. Jo, mos ia faturoni qytetarëve faturën e qeverisjes tuaj. Protesta nuk ndërtoi pa kriter, nuk betonizoi bregdetin, nuk la qytete pa parkingje, nuk projektoi rrugë që bllokohen çdo verë, nuk la vendin të digjej, nuk krijoi kaosin urban.

Në çdo demokraci, protesta është dëshmi që një shoqëri është e gjallë. Një turist evropian nuk trembet kur sheh qytetarë që protestojnë paqësisht. Ai vjen nga vende ku protesta është pjesë normale e demokracisë. Ajo që e tremb kaosi, pasiguria, mungesa e standardeve dhe një shtet që funksionon. Prandaj mos përgatisni alibi që tani. Nëse turizmi dështon, përgjegjësinë kërkojeni te politika që keni ndjegur, te infrastruktura që nuk keni ndërtuar dhe modeli që keni krijuar. Protesta nuk është problemi i Shqipërisë, por reagim ndaj problemeve të Shqipërisë. Dështimin tuaj nuk do të lejojmë tua faturoni qytetarëve që kanë guxim për të protestuar.”, tha Progni.

“Lagja ime kishte 60 familje, sot kanë ngelur 3!” – Protestuesi: Pasuria e Shqipërisë është fshati, por po zhduket nga kjo politikë shkatërruese

Një emigrant i ardhur nga diaspora ndau historinë e zbrazjes së vendlindjes së tij në qarkun e Kukësit gjatë fjalës në protestën para Kryeministrisë.

Ai theksoi se në vitet ’90 në fshatin e tij kishte rreth 60 familje, ndërsa sot kanë mbetur vetëm tre për shkak të emigrimit masiv.

“Sa herë kthehem në Shqipëri më dhemb zemra të shoh shqiptarët, të shoh fshatin tim nga malësia e Kukësit që janë braktisur.

Lagjia ime në Kukës në vitet ’90 kishte rreth 60 familje, tani kanë ngelur vetëm 3 familje. Dhe fshati po braktiset, të gjithë po ikin.

Pasuria e Shqipërisë është fshati dhe nga aty rrjedh prodhimi real. Kjo po zhduket nga kjo politikë shkatërruese“, tha ai.

“Populli të do në qeli!” – Emigranti i drejtohet kryeministrit: Ti kontratën e ke me bandën tënde duke vjedhur!

Një emigrant komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nuk e jep dorëheqjen për shkak se ka një “kontratë” me ata që e kanë votuar.

Ai iu drejtua kryeministrit duke i thënë  se kontratën e ka me bandën që ka vjedhur votat. Ai i lëshoi edhe një paralajmërim duke i thënë që të japë sa më parë dorëheqjen se do ta arrestojnë kudo që ai të ndodhet.

“Me kë e ke kontratën? Populli të do në qeli. Ti kontratën e ke bërë me bandën tënde duke vjedhur. I kemi parë të gjitha. Edhe Kosova që është shteti më i ri në Evropë ka bërë zgjedhje sipas të standardeve evropiane.

Në një shtet ligjor demokratik ti me kohë duhet të kishe dhënë dorëheqjen. Je akoma në kohë. Jep dorëheqjen njëherë e më parë. Se ky popull do të të vijë të të arrestojë në Surrel, Kryeministri e kudo që të ndodhesh.”, tha ai.

“Kam dalë kundër familjes” – Emigrantja nga Italia në protestë: Duhet të jemi të gjithë bashkë derisa Edi Rama të lërë vendin!

Një emigrante nga Italia befasoi kur tregoi se ka dalë kundër familjes për të marrë pjesë në protestën, e 76-ta që po mbahet kundër Edi Ramës.

Teksa mori fjalën në sheshin para Kryeministrisë, ajo iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrihen derisa Edi Rama të largohet nga pushteti.

“Jetojmë në Itali më shumë se 30 vjet. Dalim çdo javë në Milano, për Shqipërinë tonë të bukur, flamurin tonë më të bukur. Duhet të mblidhemi të gjithë për këtë vend të bukur. Vijmë duke qeshur, e ikim duke qarë.

Edhe pse jemi të mërguar, Shqipëria është zemra jonë. Kam dalë edhe kundër familjes, do të më shikojnë në TV por do të rrezikojmë për Shqipërinë tonë. Të mblidhemi bashkë derisa Edi Rama të lërë vendin. Dje ishte në Dhërmi dhe na ka hequr muzikën se donte relaks.”, tha ajo.

“Babai u largua jashtë për shkak të korrupsionit” – Politologia nga diaspora denoncon: Mamaja erdhi për pushime por u sëmur, urgjenca nuk i përgjigjej

Një e re që jeton në Gjermani, me profesion politologe, i është bashkuar protestës së qytetarëve përpara Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

Teksa mori fjalën në protestë, ajo tregoi se babai i saj u largua nga vendi për shkak të korrupsionit.

Ajo përmendi edhe një episod që i ka ndodhur mamasë së saj, e cila ka ardhur për pushime në Shqipëri. Sipas saj, ajo kishte pësuar kriza dhe ndonëse telefononte urgjencën, s’i përgjigjej.

“Mamaja ime sot është në Shqipëri për pak ditë pushime. Por u sëmur. Kishte shumë kriza. I binte numrit të ambulancës dhe askush nuk i përgjigjej. Unë isha në Gjermani shumë në ankth.

Nga Gjermania më është dashur të thërras ambulancën për ndihmën e shpejtë për të shpëtuar një jetë. Mamaja ishe vetëm dhe gjëja e parë që më thanë se pse e keni lënë mamanë vetëm.”, tha ajo.

“Emrat ndryshojnë, mentaliteti jo!” – Diaspora në shesh kundër qeverisë, protestuesit “flasin” me pankarta: 76 ditë, koha nuk na hesht!

Qytetarët kanë “folur” përmes pankartave edhe sot teksa po mbahet protesta e 76-të kundër qeverisë së Edi Ramës.

“76 ditë, koha nuk na hesht”, thuhet në një pankartë, duke nënkuptuar se qytetarët do të vijojnë në shesh derisa Rama të japë dorëheqjen.

Në një tjetër thuhet se mentaliteti i pushtetarëve nuk ka ndryshuar ndonëse vitet kalojnë.

“1912- 2026. Emrat ndryshojnë, mentaliteti jo. 114 vjet. Boll”, thuhet në pankartë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

Dita e 76-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë hyri këtë të premte në ditën e saj të 76-të ndërsa si çdo pasdite, pas orës 19:00, ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku vijuan me thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen”, etj.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesi marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë ku po vijojnë me thirrjet kundër qeverisë dhe me fjalime.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale.

Si çdo protestë tjetër, pas fjalimeve protestuesit pritet të marshojnë në rrugët e Tiranës.

“Në 36 vite, Shqipëria është bërë më keq!” – Emigranti: Partitë që kanë sunduar janë të korruptuara dhe komuniste!

Një emigrant nga Italia deklaroi se Shqipëria është bërë më keq nga të gjitha anët në këto 36 vite, ndërsa i cilësoi partitë si ‘mafioze’.

Në një prononcim për Neës24, ai deklaroi se do të qëndrojnë në shesh në mbështetje të qytetarëve që qëndrojnë në Shqipëri derisa të detyrojnë Edi Ramën të japë dorëheqjen si kryeministër bashkë me qeverinë e tij.

“Kam në emigrim 35 vite. Kemi 36 vite që Shqipëria është më keq nga të gjitha anët. Sidomos kohët e fundit. Unë si person them se tre partitë që kanë sunduar në Shqipëri në 36 vjet, PD, LSI, PS janë të treja të korruptuara, mafioze dhe komuniste.

Prandaj jam i lumtur që sot jam në Tiranë bashkë me diasporën nga Gjermania, Franca e SHBA dhe të mbështesim deri në ditën e fundit që Rama të japë dorëheqjen bashkë me qeverinë e tij mashtruese.”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat