Gjykata e Tiranës, ka vendosur të nxjerë nga qelia Adrian Gjebeshin alias Mërlika, i cili në 10 shtator 2026, u arrestua nga policia e Fushë-Krujës, pasi gjatë një kontrolli në hotelin e tij, oficerët e policisë sekuestruan një armë zjarri pistoletë me 20 fishekë, 1 jelek antiplumb dhe shumën financiare prej 20 mijë euro.
Ndaj Gjebeshit, është vendosur masa e sigurisë “Arrest shtëpie”, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë për akuzën e “Prodhimit dhe mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit dhe municioneve”.
I arrestuari Gjebeshi, është një person me precedent penalë në mbajtjen e armëve pa lejë. Ai zotëron hotelin “Forest Park” që ndodhet në zonën e “Krastës” në Krujë, zonë në të cilën u gjet e djegur dhe makina që u përdor në vrasjen e Nëntorit 2025 ndaj Gilmando Danit dhe Mustafa Sheqerit alias Shaljanit.
Sipas policisë së Fushë-Krujës arma e zjarrit tip pistoletë është gjetur në një nga dhomat e hotelit. Vetë Adrian Gjebeshi ka pretenduar se pistoleta nuk i përket atij, pasi është gjendur nga policia në dhomën e fjetjes ku qëndrojnë punëtorët e hotelit.
Nisur nga kjo situatë, kur policia dhe prokuroria e Tiranës, nuk kishin qartësuar autorësinë e pistoletës të sekuestruar, trupi gjykues ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi” për Adrian Gjebeshin.
Mësohet se avokati i këtij të fundit ka pretenduar se Gjebeshi është babai i 4 fëmijëve të mitur dhe zotëron një biznes në Krujë me disa punëtorë.
Ndërkohë për të qartësuar posedimin e kësaj pistolete me 20 fishekë, prokuroria e Tiranës ka kërkuar kryerjen e ekspertimit teknik të saj dhe ekspertimit të gjurmëve të gishtave.Pritet që në ditët në vijim për këtë situatë, të meren në pyetje dhe punonjësit e hotelit, të cilët kanë qëndruar tek dhoma ku policia gjeti pistoletën me 20 fishekë.