Haxhimali: Bashkimi i 15 bashkive dobëson demokracinë lokale, mungojnë kriteret e qarta

Shqipëria

Haxhimali: Bashkimi i 15 bashkive dobëson demokracinë lokale, mungojnë kriteret e qarta

Më: 20 shtator 2026 Në ora: 16:07
Agron Haxhimali

Reforma administrativo-territoriale dhe bashkimi i 15 bashkive rrezikojnë të sjellin pasoja edhe në funksionimin e demokracisë lokale. Në një intervistë për “Ora News”, drejtuesi i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, deklaroi se me shkrirjen e këtyre njësive, aktiviteti politik dhe përfaqësimi vendor do të përqendrohen tek bashkitë qendër.

Haxhimali tha se kjo situatë mund të sjellë më pak debat politik, alternativa dhe angazhim qytetar në nivel vendor.

“Graviteti politik në këto 15 bashki do të përqendrohet tek bashkitë qendër, çka do të thotë do të kemi një apati, një mungesë të frymës, debatit, alternativave politike, një dobësim të demokracisë lokale”, u shpreh ai në intervistën për “Ora News”.

Sipas tij, krijimi i bashkive më të mëdha nuk është në vetvete i gabuar, por një reformë e tillë duhet të mbështetet në një qasje që merr parasysh specifikat e territorit, historinë, traditën, ekonominë dhe identitetin e komuniteteve.

Një tjetër problem që ngre Haxhimali lidhet me mungesën e kritereve të përcaktuara qartë që në nisje të procesit.

Ai argumenton se duhet të kishte një kuadër zyrtar kriteresh, si popullsia, territori, faktorët ekonomikë dhe tregues të tjerë të performancës, mbi bazën e të cilëve të vlerësoheshin të gjitha bashkitë në mënyrë uniforme.

“Problemi është që për të njëjtat kritere që janë mbyllur 15 bashki, po për të njëjtat kritere, standarde, performancë, janë edhe 15 bashki të tjera që nuk mbyllen”, deklaroi Haxhimali.

Ai theksoi gjithashtu se kundërshtimet e komuniteteve në zonat që preken nga reforma nuk lidhen vetëm me përkatësinë politike, por edhe me shqetësime për historinë, identitetin dhe aksesin në shërbime.

Sipas Haxhimalit, reagimi i komuniteteve tregon një rritje të vëmendjes qytetare ndaj reformave që prekin drejtpërdrejt territorin dhe mënyrën se si ofrohen shërbimet publike.

Haxhimali e cilësoi reformën si një nga proceset më të kundërshtuara që ka ndjekur gjatë eksperiencës së tij në fushën e pushtetit vendor, duke theksuar nevojën për një qasje më të qartë dhe të orientuar drejt specifikave të territorit.

Agron Haxhimali: Institucionet që kanë të zgjedhur, kanë kandidatë, kanë këshilltarë, bëhet loja politike në këto 15 bashki, tashmë do jetë shumë e vakët ose nuk do të ekzistojë fare. Pra, graviteti politik në këto 15 bashki do përqendrohet tek bashkitë qendër, çka do të thotë do kemi një apati, një mungesë të frymës, debatit, alternativave politike, një dobësim të demokracisë lokale, për të cilën, për natyrën që ka vendi ynë, për situatën, në tërë dimensionet që ka vendi ynë, e ka shumë të domosdoshme dhe të nevojshme një qasje të shëndoshë dhe të shëndetshme të demokracisë lokale. Kjo nuk do të thotë se krijimi i bashkive të mëdhaja është gabim, por do të thotë që për të bërë të tilla reforma duhet të kemi një qasje të orientuar drejt territorit, siç e kërkon territori.

Për të bërë reforma të tilla duhet të gjejmë cili është një model historik, institucional, ekonomik, politik, tradicional që bashkon shoqërinë shqiptare, që bashkon komunitetet shqiptare. Kjo reformë, thashë, është më tepër mekanike, e kanë thënë një shkurtim që më tepër sesa të shkurtojmë 15, nuk gjej atë vetë, cili ishte modeli që i përshtatet historisë, traditës, infrastrukturës të këtij territori shqiptar. Ju pyetët, mbi bazë të çfarë kriteresh? Në fakt, ka qenë shumë e diskutueshme çështja e kritereve. Unë e kam ndjekur nga afër dhe e mira do ishte që, që në fillim të punës, komisioni të përcaktonte një kuadër të përgjithshëm të kritereve dhe të thuash, për shembull, që kriter mund të ishte popullsia. Bashkitë me këtë numër popullsie, pra nën këtë nuk do të ekzistojnë, do bashkohen me të tjera. Apo territori, apo qasjet ekonomike, apo mund të kishte shumë faktorë të tjerë.

Në raportet tona ne bëjmë një analizë të 12 faktorëve, ka shumë gjëra në fakt, analiza dhe faktorët, por nuk kemi kohë t'i analizojmë. Por problemi këtu nuk është tek kriteret. Problemi është që për të njëjtat kritere që janë mbyllur 15 bashki, po për të njëjtat kritere, standarde, performancë, janë edhe 15 bashki të tjera që nuk mbyllen. Pra, çfarë do të thotë kjo? Që nuk kemi pasur një qasje të përcaktuar qartë, uniforme, që të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të gjitha komunitetet, të gjitha njësitë administrative, të gjitha bashkitë, apo dhe këto që mbyllen apo dhe ato që do zmadhohen, ta kishin të qartë shumë kohë më përpara. Në vende të tjera një gjë e tillë është e përcaktuar, për shembull në Estoni, Turqi, një numër për shembull kanë marrë si kriter bazë, por nuk është se ky kriter përjashton të tjerët, popullsinë, dhe kanë thënë që njësitë e qeverisjes vendore që kanë më pak se 5000 banorë, nuk do të ekzistojnë më, do bashkëngjiten, do bashkëpunojnë, do shkrihen me bashkinë fqinje që i bashkon natyralisht, janë aty, krijojnë territore të vazhdimësisë. Po e para që nuk u bënë shumë të qarta. E para nuk u miratua set kriteresh.

Pavarësisht se në raporte edhe të grupit të opozitës dhe të grupit të mazhorancës, përdorin secili kriteret e veta. Unë e kam fjalën këtu për kritere që vendos qeveria, për kritere që bëhen publike, për kritere zyrtare. Pastaj, secili ekspert, secili grup pune i mazhorancës, opozitës, është në të drejtën e vet të përcaktojë kritere. Pra, duket sikur në këtë lojë u futën në garë për të konkuruar kush vendos kritere, kush mat tregues performance më mirë: Kështu që, tashmë në këtë situatë ne jemi drejt kësaj qasjeje. Por, fakti që të 15 komunitetet e këtyre bashkive që mbyllen, këshillat bashkiake, të zgjedhurit vendorë, grupet e interesit, shoqëria civile, komunitete, aktorë apo personalitete me origjinë nga ato zona apo edhe që jetojnë aktualisht aty, me thënë të drejtën ka qenë një zë shumë i fuqishëm kundërshtues. Ato nuk kanë kundërshtuar se i shqetëson bashkia e madhe apo bashkia e vogël.

Ato nuk kanë kundërshtuar se nuk ju pëlqen PS-ja, apo ju pëlqen PD-ja. Ato kanë kundërshtuar se ju prek historia, identiteti, ju largohen shërbimet. Dhe në historinë time të gjatë të reformave, kjo është reforma më e sulmuar, më e kundërshtuar. Unë në fakt, edhe një kundërpërgjigje e vlerësoj shumë, gëzohem shumë që ka një zgjim të qytetarëve, sepse na ishte krijuar një ide që gjithçka që thotë qeveria, çdo reformë që bëhet ç'më duhet mua, është punë e qeverisë, s'ka rëndësi, ka që nuk prekem unë. Edhe pse prekem, po në konceptin tonë shumë arkaik në fakt. Epo, s'jemi dhe aq largpamës, po këto lëvizje na bëjnë të jemi më të zgjuar, më largpamës, të themi, stop, çfarë po ndodh?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat