Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë sot, më 29 shtator, në Samitin e Euronews për Udhëtimet dhe Turizmin, që zhvillohet në Albert Hall në Bruksel.
Samiti mbledh së bashku politikëbërës, drejtues të industrisë së turizmit, investitorë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorëve të aviacionit e hotelerisë, për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat që po formësojnë të ardhmen e turizmit në Evropë dhe më gjerë. Në fokus të diskutimeve janë ndryshimi i pritshmërive të udhëtarëve, inovacioni digjital, qëndrueshmëria, infrastruktura, investimet dhe lidhjet më të mira mes destinacioneve.
Në kuadër të samitit, Edi Rama do të zhvillojë një intervistë të drejtpërdrejtë me gazetaren e Euronews, Maria Tadeo. Sipas agjendës zyrtare, intervista është parashikuar të zhvillohet gjatë mesditës, nga ora 13:22 deri në 13:52.
Pjesëmarrja e Ramës vjen në një kohë kur Shqipëria po përjeton një rritje të ndjeshme të interesit ndërkombëtar si destinacion turistik. Sipas të dhënave të cituara nga Euronews nga Organizata Botërore e Turizmit, Shqipëria regjistroi 11.9 milionë ardhje ndërkombëtare në vitin 2025, rreth 93.6 për qind më shumë krahasuar me vitin 2019.
Në vëmendje pritet të jenë edhe faktorët që kanë ndikuar në rritjen e turizmit shqiptar, përfshirë përmirësimin e lidhjeve ajrore, çmimet konkurruese dhe interesin në rritje për rivierën shqiptare, Tiranën dhe zonat malore.
Samiti do të trajtojë gjithashtu çështje të rëndësishme për të ardhmen e sektorit, si menaxhimi i flukseve të turistëve, fenomeni i mbingarkesës së destinacioneve turistike, krijimi i destinacioneve më të qëndrueshme dhe zhvillimi i një turizmi më të lidhur e të aksesueshëm.