LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Shqipëria

LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Më: 14 tetor 2026 Në ora: 11:31 Përditësuar në ora: 23:27 më 15.10.2026
Protesta në Tiranë

Sulmohen konviktet në “Qytetin Studenti”/ Protestuesit thyejnë dyer e dritare, futen brenda godinave

Protestuesit kanë sulmuar mbrëmjen e sotme edhe konviktet në Qytetin Studenti, brenda të cilit ndodhen studentë.

Situata brenda konvikteve është kaotike, ku studentët janë të trembur dhe të pambrojtur përballë agresionit.

Tirana përjetoi kaos, flakë dhe shkatërrim për të tretën ditë radhazi, për shkak të protestës së dhunshme, e cila u shoqërua me pjesëmarrjen e qindra të miturve, të moshës 14 deri në 17 vjeç.

Në krye të dhunës ishin të maskuarit, të cilët shkatërruan çdo gjë në rrugë, semaforë, tabela, kamera, kangjella e deri te sulmet e ashpra dhe djegiet ndaj bizneseve të vogla e të mesme.

Komisariati plotë me protestues, të rinjtë të shtrirë dhe të dhunuar barbarisht

Pamje shqetësuese raportohen nga zhvillimet pas protestës studentore në Tiranë, ku disa të rinj dyshohet se janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë.

Sipas raportimeve, ambientet e komisariatit janë mbushur me protestues, ndërsa në pamjet e publikuara pretendohet se shihen të rinj të shtrirë dhe me shenja dhune.

Nuk ka informacion të konfirmuar mbi numrin e personave të shoqëruar, gjendjen e tyre shëndetësore apo rrethanat në të cilat janë krijuar këto pamje.

Deri në konfirmimin e plotë të fakteve nga autoritetet dhe burime të pavarura, pretendimet për dhunë ndaj protestuesve mbeten për t’u verifikuar.

Ngjarja ngre pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të të rinjve të shoqëruar pas protestës dhe pritet të ketë më shumë detaje në vijim.

E paprecedentë/ Civilët me maska marrin me forcë burrin në mes të Tiranës

Një ngjarje e pazakontë raportohet të ketë ndodhur në Tiranë, në një kohë kur në kryeqytet po zhvillohej protesta studentore.

Sipas informacioneve paraprake, disa persona të maskuar kanë marrë me forcë një burrë në mes të qytetit. Personat e përfshirë dyshohet se mund të jenë efektivë të policisë civile, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për identitetin e tyre.

Rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja mbeten të paqarta. Ende nuk dihet identiteti i personit të marrë me forcë, motivi i veprimit apo vendndodhja e tij pas incidentit.

Deri në këto momente, nuk ka informacion të konfirmuar nga autoritetet lidhur me rastin. Pritet që në vijim të ketë më shumë detaje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes

Shoqërimi i protestuesve nga Policia, Avokati i Popullit dërgon grupe monitorimi në disa komisariate

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara këtë të enjte, më 15 tetor, duke bërë të ditur se ka nisur monitorimin e veprimeve të Policisë së Shtetit ndaj personave të shoqëruar. Sipas njoftimit zyrtar, në Korçë dhe Shkodër janë shoqëruar gjithsej 30 persona, nga të cilët 16 të mitur, ndërsa vijon verifikimi i situatës në Tiranë. Në Komisariatin e Policisë Korçë janë shoqëruar 26 persona, mes tyre 16 të mitur. Avokati i Popullit bën të ditur se të gjithë personat e shoqëruar janë liruar, ndërsa një pjesë e tyre po procedohen në gjendje të lirë.

Ndërkohë, në Shkodër, përfaqësuesit e zyrës rajonale të Avokatit të Popullit kanë monitoruar Drejtorinë Vendore të Policisë, ku janë kryer veprimet procedurale ndaj katër personave të shoqëruar. Institucioni ka administruar ankesat e këtyre personave lidhur me mënyrën e trajtimit nga policia, që prej momentit të shoqërimit, si dhe pretendimet e tyre për mosgarantimin e të drejtave kushtetuese.

Sa i përket Tiranës, një grup pune po kryen monitorime në komisariatet e policisë dhe në spitalet ku po trajtohen personat e lënduar. Avokati i Popullit njofton se gjetjet paraprake do të bëhen publike pas verifikimit të tyre. Institucioni thekson se qëllimi i monitorimit është të verifikohet nëse personave të shoqëruar u janë garantuar të drejtat themelore gjatë ndërhyrjeve dhe procedurave policore.

Përveç hetimeve të nisura kryesisht, Avokati i Popullit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe familjarëve të personave të shoqëruar që të paraqesin ankesa individuale në rast se pretendojnë se janë cenuar të drejtat e tyre nga Policia e Shtetit.

“Përditësim mbi situatën e të shoqëruarve gjatë protestave të sotme Avokati i Popullit ka dërguar grupe monitorimi në komisariatet e policisë dhe në drejtoritë e policisë në Korçë, Shkodër dhe Tiranë, si dhe në spitalet ku trajtohen personat e lënduar. Qëllimi është të verifikohet nëse të shoqëruarve u garantohen të drejtat themelore, dhe të publikohen gjetjet pasi të konfirmohen.

Korçë

Në Komisariatin e Policisë Korçë ditën e sotme janë shoqëruar 26 persona, nga të cilët 16 të mitur. Aktualisht të gjithë personat e shoqëruar janë liruar dhe një pjesë e tyre po procedohen në gjendje të lirë.

Shkodër

Përfaqësuesit e zyrës rajonale kanë monitoruar Drejtorinë e Policisë Shkodër, ku janë kryer veprimet procedurale për katër persona të shoqëruar. Ne kemi administruar ankesat e tyre për trajtimin që në momentin e shoqërimit nga policia, si dhe pretendimet për garantimin e të drejtave të garantuara në Kushtetutë.

Një grup pune po monitoron situatën në komisariatet e policisë dhe në spitalet e Tiranës, dhe shumë shpejt do të raportojmë mbi gjetjet parapake.

Përveç hetimeve kryesisht, Avokati i Popullit fton qytetarët dhe familjarët e tyre t'i drejtohen institucionit me ankesa individuale për pretendime në lidhje me trajtimin nga Policia e Shtetit”, deklaroi Avokati i popullit.

Protestuesit sulmojnë sërish Ministrinë e Brendshme, shkatërrohet fasada! Policia përgjigjet me gaz lotsjellës

Protestuesit edhe një herë kanë mësyrë drejt Ministrisë së Brendshme, të cilën e kanë sulmuar disa herë përgjatë këtyre 3 ditëve.

Protestuesit kanë sulmuar me sende të forta pjesën e hyrjes së godinës, teksa më pas ka ndërhyrë policia me gaz lotsjellës nga tarraca e godinës.

Për momentin protestuesit janë tërhequr, pa mundur të futen brenda ambienteve.

Pjesa e fasadës është sulmuar dhe shkatërruar me gurë dhe sende të forta.

Protestuesi i lënduar dhe me pranga paraqitet në Spitalin e Traumës

Një protestues i lënduar gjatë protestës në Tiranë është paraqitur me pranga në Spitalin Universitar të Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor edhe persona të tjerë të lënduar gjatë përplasjeve të ditës së sotme.

I lënduari shihet gjithashtu i shoqëruar nga dy efektivë policie në krah.

Sipas njoftimit zyrtar të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” , në këtë spital nuk ka aktualisht persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar gjithsej 26 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe kalimtarë të rastit.

Ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët e saj: Shmangni demonstratat në këto qytete!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, duke paralajmëruar për demonstrata të shoqëruara me incidente të dhunshme në disa qytete të Shqipërisë. Përfaqësia diplomatike paralajmëron për protesta të tjera në ditët në vijim, si dhe për bllokime rrugësh e ndërprerje të shërbimeve publike.

“Disa prej demonstratave janë shoqëruar me dhunë. Protestuesit kanë përdorur mjete zjarrvënëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar prona publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Përfaqësia diplomatike paralajmëron se protestat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth zonave ku zhvillohen tubimet, duke sjellë shtim të pranisë policore, vështirësi në qarkullim, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh. Për këtë arsye, Ambasada Amerikane ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata, ndërsa u kërkon qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar.

“Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata. Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit. Në njoftim theksohet gjithashtu se situata mund të ndikojë në funksionimin e shërbimeve publike në të gjithë vendin”, thuhet më tej.

Sipas Ambasadës, priten mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve, përfshirë transportin publik, zyrat shtetërore dhe institucionet arsimore. Ambasada u rekomandon qytetarëve amerikanë të ndjekin mediat lokale për informacionet më të fundit, të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve të rendit dhe të kenë gjithmonë një plan emergjence për t'u larguar nga zonat e rrezikshme. Në përfundim, përfaqësia diplomatike amerikane u bën thirrje qytetarëve të saj të qëndrojnë vigjilentë, të shmangin tërheqjen e vëmendjes dhe të vendosin sigurinë personale në plan të parë.

“Rrisni kujdesin për sigurinë tuaj duke shmangur demonstratat dhe duke qenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike”, thekson Ambasada.

Deklarata e plotë e Ambasadës Amerikane në Tiranë:

Demonstrata po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, veçanërisht në qendrat e qyteteve dhe pranë ndërtesave qeveritare. Disa prej demonstratave janë shoqëruar me dhunë. Protestuesit kanë përdorur mjete zjarrvënëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar prona publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim.

Demonstratat mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë së policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata. Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit.

Pasojat e pritshme

Priten mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve publike në të gjithë Shqipërinë, përfshirë transportin publik, zyrat shtetërore dhe shkollat.

Masat që duhen marrë

Rrisni kujdesin për sigurinë tuaj duke shmangur demonstratat dhe duke qenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit. Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një mënyrë për t’u larguar nga zona në rast rreziku dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes.

Deputeti Saimir Korreshi i bashkohet protestës në Tiranë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është bashkuar këtë pasdite me protestuesit e mbledhur në qendër të Tiranës, ku prania e tij është pritur pozitivisht nga turma.

Ndryshe nga situata e krijuar dy ditë më parë, kur disa deputetë demokratë u përballën me reagime refuzuese dhe u larguan nga protestuesit, Korreshi ka arritur të qëndrojë mes qytetarëve pa hasur kundërshtime të ngjashme.

Madje, disa prej pjesëmarrësve në protestë i janë afruar deputetit për të bërë fotografi selfie me të.

Korreshi, i njohur për mënyrën e veçantë me të cilën ngre problematikat e zonës së Lushnjës, është parë duke lëvizur mes protestuesve në kryeqytet.

Prania e tij shënon një kontrast me reagimet ndaj disa përfaqësuesve të tjerë të opozitës gjatë protestës së mëparshme.

Protestat e studentëve në fokusin e mediave prestigjioze franceze

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë tërhequr vëmendjen e mediave të mëdha ndërkombëtare.

Dy prej gazetave më të njohura franceze, “Le Monde” dhe “Le Figaro”, po pasqyrojnë zhvillimet në Shqipëri, ku demonstratat dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit vijojnë të mbajnë të tensionuar situatën politike.

Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” i kushton vëmendje protestave të zhvilluara në Tiranë, duke theksuar se demonstruesit kanë dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas raportimit të saj, protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa studentët janë bërë pjesë e rëndësishme e lëvizjes.

Pakënaqësitë e tyre lidhen me kushtet në universitetet shqiptare, kostot e larta të studimeve dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë. Këto kërkesa janë ndërthurur me revoltën më të gjerë kundër qeverisë dhe akuzat për korrupsion.

Edhe gazeta tjetër e njohur franceze, “Le Figaro”, i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, duke vënë në fokus zemërimin që po shfaqet në rrugët e kryeqytetit kundër Edi Ramës.

OSBE reagon për protestat në Shqipëri: Nevojitet qetësi dhe dialog, jemi të gatshëm të ndihmojmë

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Shqipëri pas protestave të ditëve të fundit, duke mbështetur thirrjen e Presidentit Bajram Begaj për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka bërë të ditur se është e gatshme të ndihmojë në lehtësimin e dialogut mes palëve, nëse një gjë e tillë kërkohet.

Njoftimi i plotë:

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret mesazhin e sotëm të Presidentit Begaj.

Ne i bashkohemi thirrjes për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në lehtësimin e një dialogu të tillë, nëse na kërkohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat