LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Shqipëria

LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Më: 14 tetor 2026 Në ora: 11:31 Përditësuar në ora: 19:00 më 15.10.2026
Protesta në Tiranë

Tensione në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, policia ndërhyn me gaz lotsjellës dhe ujë me presion

Situata është tensionuar sërish përpara Kryeministrisë, ku forcat e policisë kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit. Ndërhyrja vjen në një kohë kur numri i demonstruesve në bulevard është rritur ndjeshëm, ndërsa grupe protestuesish vijojnë të qëndrojnë në zonë.

Tensione të reja janë regjistruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, ku policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën e protestuesve.

Forcat e rendit kanë intensifikuar ndërhyrjen në zonën përpara selisë së qeverisë, ndërsa demonstruesit vijojnë të qëndrojnë në bulevard, pavarësisht përdorimit të mjeteve për shpërndarjen e tyre.

Ndërhyrja e policisë vjen pas një rritjeje të ndjeshme të numrit të protestuesve, të cilët janë grumbulluar sërish përpara Kryeministrisë pas disa orësh marshimi në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.

Gazi lotsjellës ka detyruar një pjesë të demonstruesve të largohen përkohësisht nga pikat ku është përqendruar ndërhyrja, ndërsa policia ka përdorur edhe ujë me presion për të krijuar distancë mes turmës dhe forcave të rendit.

Situata në bulevard mbetet e tensionuar, me grupe protestuesish që vijojnë të lëvizin dhe të rigrupohen në zonën përreth Kryeministrisë.

Më herët gjatë ditës, policia kishte vendosur kordone nga të dyja anët e bulevardit dhe kishte avancuar gradualisht, duke i shtyrë demonstruesit drejt Urës së Lanës. Një tjetër kordon ishte vendosur edhe në hyrje të Pedonales, ndërsa gjatë ndërhyrjeve janë raportuar shoqërime të shumta.

Përplasjet përpara Kryeministrisë janë shoqëruar edhe me hedhje gurësh dhe fishekzjarrësh drejt policisë. Në të njëjtën zonë, një kioskë është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar tym në bulevard.

Gjatë ditës së tretë të protestave, demonstruesit kanë marshuar edhe në Rrugën e Elbasanit, pranë stadiumit dhe Presidencës, si dhe në zonën e Librit Universitar. Në disa prej këtyre zonave janë regjistruar dëmtime të pronës private dhe sulme ndaj bizneseve e institucioneve bankare.

Ende nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të shoqëruar gjatë protestës apo për dëmet e përgjithshme materiale.

Ndërkohë, policia vijon ndërhyrjen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë dhe situata mbetet e tensionuar.

Tre ditë protesta, reagon kryetari i Kuvendit: Situatë e paprecedentë dhune, rrezikohet siguria dhe rendi publik

Peleshi e ka cilësuar situatën shqetësuese, duke iu referuar akteve të dhunës ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private, si dhe informacioneve të institucioneve ligjzbatuese për skenarë që, sipas tij, rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike...

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar lidhur me situatën e protestave në vend, duke njoftuar shtyrjen me një javë të seancës plenare që ishte parashikuar të zhvillohej gjatë ditës së sotme.

Përmes një deklarate publike, Peleshi e ka cilësuar situatën shqetësuese, duke iu referuar akteve të dhunës ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private, si dhe informacioneve të institucioneve ligjzbatuese për skenarë që, sipas tij, rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike.

“Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot”, deklaroi Peleshi.

Kreu i Kuvendit theksoi se vendimi synon gjithashtu shmangien e çdo situate që mund të shërbejë si shkak për provokime apo përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Në deklaratën e tij, Peleshi u bëri thirrje përfaqësuesve të politikës, shoqërisë civile, botës akademike, biznesit dhe qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në vend.

“Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe”, u shpreh ai.

Një pjesë të rëndësishme të deklaratës, kryetari i Kuvendit ia kushtoi përfshirjes së të rinjve në protestat dhe zhvillimet e fundit, duke kërkuar që të miturit dhe nxënësit e shkollave të mesme të mbahen larg akteve të dhunës. Sipas Peleshit, studentët dhe të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë më shumë nga institucionet dhe të dëgjohen për shqetësimet e tyre, por aktet e dhunës nuk duhet t'u atribuohen atyre.

“Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës. Ata nuk duhet të lihen në duart e forcave të errëta, me qëllime aspak shqiptare”, theksoi ai.

Integrimi europian, Peleshi paralajmëron për pasojat e tensioneve

Kryetari i Kuvendit e lidhi situatën e krijuar edhe me perspektivën europiane të Shqipërisë, duke paralajmëruar se tensionet dhe aktet e dhunës mund të dëmtojnë përpjekjet e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se procesi i integrimit nuk është i garantuar dhe zhvillohet në një periudhë të ndërlikuar gjeopolitike, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI”, deklaroi Peleshi.

Në përfundim, kreu i Kuvendit u bëri thirrje të gjitha palëve politike dhe shoqërore që të zgjedhin dialogun në vend të përplasjes, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të cenojnë interesin e përbashkët kombëtar.

“Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë”, përfundoi deklaratën kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset

Dhjetë orë protestë e dhunshme, përplasje me policinë dhe dëme të shumta materiale në Tiranë.

Protestuesit u zhvendosën nga njëra pikë e kryeqytetit në tjetrën, duke sulmuar godina institucionesh, biznese dhe banka, ndërsa policia ndërhyri në disa momente me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur.

Dhuna nisi te Ministria e Arsimit, ku godina u sulmua sërish me gurë dhe flakë. Të rinj me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat e trotuareve, i grumbulluan përpara godinës dhe goditën institucionin me gurë. Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit. Protestuesit sulmuan dhe dëmtuan disa biznese private, ndërsa një bankë private e nivelit të dytë u dogj dhe u shkatërrua.

Protesta e dhunshme vijoi drejt Sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit u vunë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave, raporton Top Channel.

Një tjetër vatër e dhunës ishte Ministria e Ekonomisë. Protestuesit hynë në katin e parë të godinës, shkulën dyer, thyen xhama dhe nxorën orenditë jashtë ambienteve.

Sulmet prekën edhe Ministrinë e Brendshme, ku u godit godina dhe u thyen xhamat.

Më pas, protestuesit u ndanë në dy grupime, njëri në Sheshin “Skënderbej” dhe tjetri pranë Ministrisë së Ekonomisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u sulmuan ndërtesat, përgjatë tij.

Dëmtime pati edhe te Piramida e Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkatërruan dhe u dogjwn pjesë të ambienteve. Edhe në këtë zonë u sulmua një tjetër bankë private e nivelit të dytë.

Protestuesit vijuan më pas drejt Kryeministrisë, ku u dogjën pemët në hyrjen anësore të godinës.

Protesta e dhunshme u zhvendos edhe te ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit. Protestuesit mësynë drejt godinës dhe tentuan të futeshin brenda. Më pas protestuesit shkatërruan dhe dogjën bizneset që ndodhen në katin e parë të dy godinave të njohura si “Kullat Binjake”.

Protestuesit u zhvendosën drejt qendës së kryeqytetit, sulmuan edhe Ministrinë e Drejtësisë. Ata kanë thyer xhamat dhe i kanë vënë flakën katit të parë.

Një grup tjetër protestuesish thyen xhamat e qendrës tregtare pranë Kalasë së Tiranës.

Gjatë dhjetë orëve të protestës së dhunshme, policia ndërhyri në disa prej vatrave të tensionit, duke përdorur autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur dhe shpërndarë protestuesit.

Të lënduarit nga protesta: 7 persona në urgjencë, mbërrijnë edhe 3 efektivë policie

Lidhur me personat e lënduar nga protesta e ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar dhe një herë situatatën aktuale të tyre.

Sipas njoftimit, aktualisht po marrin trajtim në urgjencë 3 protestues dhe 4 efektivë policie, koshient të gjithë me një gjendja shëndetësore stabël. Ndërkohë sapo kanë mbërritur edhe 3 efektivë të tjerë policie në spitalin e Traumës duke e çuar në 7 numrin e efketivëve të lënduar.

Mësohet se 4 protestues kanë marrë mjekimin dhe janë larguar duke vijuar kujdesin ambulator.

Gjithashtu 5 persona janë të shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shtetit: 14 efektivë të plagosur nga sulmet gjatë protestës

Nga: A.M.

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me aktet e dhunës gjatë protestës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe të shkatërrimit të pronës publike dhe private.

Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e sulmeve që kanë vijuar prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që dyshohet se kanë kryer akte dhune dhe janë maskuar gjatë tubimit.

Deri në momentin e reagimit, janë shoqëruar 35 shtetas.

Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të distancohen menjëherë nga personat e dhunshëm dhe të mos i mbështesin apo t'u bashkohen atyre. Sipas uniformave blu, ushtrimi i dhunës, sulmet ndaj efektivëve dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën për të protestuar.

“Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë!”, thekson Policia e Shtetit në reagimin e saj, duke nënvizuar se rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe qytetarëve duhet të marrë fund.

Në vijim të deklaratës, Policia rikujton se e drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune apo shkatërrimin e pronës publike dhe private.

Autoritetet bëjnë me dije se personat përgjegjës për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin, ndërsa apelohen të gjithë pjesëmarrësit që të mos lejojnë që tubimi të shndërrohet në një skenë dhune dhe përplasjesh.

BE reagon për protestën e studentëve në Tiranë

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar me shqetësim pas përshkallëzimit të dhunshëm të protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore europiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Përfaqësia diplomatike europiane u bën gjithashtu thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të angazhohen në dialog.

“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.

Pedagogët i dalin në krah protestës, njoftojnë për takim nesër paradite: Mos qëndro indiferent

Sindikata e Pavarur e Universiteteve shqiptare i ka dalë në krah protestuesve dhe ka njoftuar për një takim nesër paradite.

“Takim kombëtar i profesoratit në përkrahje të studentëve. E enjte, 15 tetor ora 10:00 para korpusit të UPT. Bashku! Mos qëndro indiferent”, është thirrja që ka bërë Sindikata e Pavarur e Universiteteve shqiptare.

Ndërkohë që një ditë më parë, protesta ka përshkallëzuar në dhunë.

Protestuesit u kanë vënë flakën bizneseve private si dhe institucioneve shtetërore.

Goditet në mushkëri nga protestuesit, efektivi i policisë kërkon ndihmë mjekësore

Tension në protestë pranë Sheshit Skënderbej, protestuesit sulmojnë efektivët e policisë

Një incident i tensionuar është regjistruar pranë Sheshit Skënderbej, ku një grup protestuesish kanë rrethuar një numër të vogël efektivësh të policisë dhe i kanë sulmuar me sende të forta dhe gurë.

Gjatë përplasjes, njëri prej efektivëve dyshohet se është goditur në zonën e mushkërive dhe ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore.

Përballë sulmit dhe goditjeve të vazhdueshme, efektivët janë detyruar të tërhiqen nga zona, pasi nuk kanë mundur të përballojnë situatën.

Rrethanat e plota të incidentit dhe gjendja shëndetësore e efektivit të lënduar mbeten për t'u konfirmuar zyrtarisht.

“Distancohuni nga aktet e dhunës”, ministri Gonxhja reagon për protestën: Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar përmes një deklarate lidhur me protestën e ditës së sotme. Ai dënon aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve publike.

Gonxhja thekson se e drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nënvizon rëndësinë e ruajtjes së rendit, karakterit paqësor të protestës dhe mbrojtjes së objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve si pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Reagimi i Ministrit Blendi Gonxhja për protestën:

Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik! Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!

Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane.

Në vëmendje të veçantë mbrojtja e objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve: Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare.

Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, Piramidën dhe bizneset në bulevard, përplasje nëpër rrugë me policinë

Tetë orë protestë e dhunshme, përplasje me policinë dhe dëme të shumta materiale në Tiranë.

Protestuesit u zhvendosën nga njëra pikë e kryeqytetit në tjetrën, duke sulmuar godina institucionesh, biznese dhe banka, ndërsa policia ndërhyri në disa momente me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur.

Dhuna nisi te Ministria e Arsimit, ku godina u sulmua sërish me gurë dhe flakë. Të rinj me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat e trotuareve, i grumbulluan përpara godinës dhe goditën institucionin me gurë. Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit. Protestuesit sulmuan dhe dëmtuan disa biznese private, ndërsa një bankë private e nivelit të dytë u dogj dhe u shkatërrua.

Protesta e dhunshme vijoi drejt Sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit u vunë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave.

Një tjetër vatër e dhunës ishte Ministria e Ekonomisë. Protestuesit hynë në katin e parë të godinës, shkulën dyer, thyen xhama dhe nxorën orenditë jashtë ambienteve.

Sulmet prekën edhe Ministrinë e Brendshme, ku u godit godina dhe u thyen xhamat.

Më pas, protestuesit u ndanë në dy grupime, njëri në Sheshin “Skënderbej” dhe tjetri pranë Ministrisë së Ekonomisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u sulmuan ndërtesat,  përgjatë tij.

Dëmtime pati edhe te Piramida e Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkatërruan dhe u dogjwn pjesë të ambienteve. Edhe në këtë zonë u sulmua një tjetër bankë private e nivelit të dytë.

Protestuesit vijuan më pas drejt Kryeministrisë, ku u dogjën pemët në hyrjen anësore të godinës.

Protesta e dhunshme u zhvendos edhe te ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit. Protestuesit mësynë drejt godinës dhe tentuan të futeshin brenda. Më pas protestuesit shkatërruan dhe dogjën bizneset që ndodhen në katin e parë të dy godinave të njohura si “Kullat Binjake”.

Gjatë tetë orëve të protestës së dhunshme, policia ndërhyri në disa prej vatrave të tensionit, duke përdorur autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur dhe shpërndarë protestuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat