Tensionet janë përshkallëzuar në sheshin “Skënderbej” dhe pranë Bashkisë së Tiranës, ku protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë. Gjatë protestës janë regjistruar edhe incidente me molotovë, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës në disa zona të kryeqytetit.
Situata në Tiranë është tensionuar më tej, me përplasje të përsëritura mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë hedhur një numër të madh fishekzjarrësh në drejtim të policisë, duke shkaktuar përballje mes dy palëve.
Pas incidenteve të regjistruara në afërsi të selisë së Partisë Socialiste, përplasjet janë zhvendosur edhe pranë Bashkisë së Tiranës. Atje, protestuesit kanë lëshuar një karikator fishekzjarrësh drejt efektivëve të policisë, të cilët po afroheshin për të shpërndarë turmën.
Situata në këtë zonë ka mbetur e tensionuar, ndërsa përballjet mes protestuesve dhe policisë janë përqendruar kryesisht në afërsi të Bashkisë.
Gjatë orëve të fundit, protesta është shoqëruar me incidente të përsëritura, përfshirë hedhjen e bombolave molotov dhe fishekzjarrëve. Në disa zona të kryeqytetit, policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të vënë situatën nën kontroll.
Deri në këtë fazë, nuk ka të dhëna të konfirmuara në informacionin e publikuar për numrin e personave të lënduar apo të arrestuar.