Noka: Të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe të largohet! Qytetarët po kërkojnë shtet

Shqipëria

Noka: Të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe të largohet! Qytetarët po kërkojnë shtet

Më: 31 tetor 2026 Në ora: 13:51
Flamur Noka

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka theksoi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ku po zhvillohet protesta e demokratëve, se kryeministri Edi Rama duhet të pranojë kërkesën e studentëve dhe të japë dorëheqjen.

Në një prononcim për mediat, Noka tha se Rama nuk mund ta mbajë pushtetin me dhunë dhe se qytetarët nuk e duan më.

“Të gjithë shqiptarët kanë vetëm një mesazh dhe ne si demokratë e përcjellim sot këtu, studentët që janë atje. Ka vetëm një mesazh: Edi Rama largohu, ti nuk mund ta mbash pushtetin me dhunë. Askush nuk të do më, askush nuk të mbështet më. Me dhunë policore e kanë tentuar edhe diktatorë të tjerë dhe ti e di secili është fundi.

Ndaj edhe kjo është motoja mbi bazën e të cilës është thirrur kjo protestë e dytë kombëtare e PD, për të qenë në sinkron të studentëve, për t’i mbështetur studentët. Kërkesat e tyre duhet të respektohen, zëri i tyre duhet të dëgjohet. PD ka qenë dhe është dhe do të vazhdojë t’i mbështesë kërkesat e studentëve dhe studentët në protestën e tyre. Ne u mblodhëm këtu për të filluar protestën, tashmë protesta do të vijojë tek studentët atje tek sheshi ku ata nisën betejën.”, tha Noka.

I pyetur për masat e ashpra për dhunën në protesta, Noka tha se Rama nuk do të mund t’iu mbijetojë energjisë së të rinjve.

“Çaushesku u mundua të mbijetojë në pushtet me masa represive, dhe sot gjithkush e di fundin e tij. Ky popull e ka thyer murin e egër të diktaturës në ’90 dhe nuk ka mur që mund të ndërtojë Rama që mund të mbajë energjinë e studentëve dhe vrullin e qytetarëve për ndryshim. Shqiptarët sot kërkojnë shtet, janë të gjithë në këmbë. “, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat