​Kalaja e Gjirokastrës priti 300 mijë vizitorë në dhjetë muaj

Shqipëria

​Kalaja e Gjirokastrës priti 300 mijë vizitorë në dhjetë muaj

Më: 8 nëntor 2026 Në ora: 14:31
​Kalaja e Gjirokastrës

Interesi për Gjirokastrën po rritet nga viti në vit, duke e kthyer qytetin në një prej pikave më të rëndësishme të turizmit kulturor shqiptar.

Kalaja e Gjirokastrës ka pritur 300 mijë vizitorë vendas dhe të huaj vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2026 ose 6,5% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë 2025.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja theksoi se krahas rritjes së numrit të vizitorëve, monumenti ka regjistruar edhe një rritje prej 10,5% të të ardhurave në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Gjatë periudhës janar–tetor 2026, plot 300 mijë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zbuluar madhështinë, historinë dhe trashëgiminë e këtij monumenti ikonik. Një sukses që shënon 6,5% më shumë vizitorë dhe 10,5% më shumë të ardhura krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, u shpreh Gonxhja.

Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe kulturore në vend, si dhe një prej pikave kryesore për turistët vendas dhe të huaj në qytetin e gurtë.

Në ambientet e kalasë ndodhet edhe Muzeu Kombëtar i Armëve, i hapur në vitin 1971, ku ekspozohen armë të periudhave të ndryshme historike. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat