Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkon zhbërjen e marrëveshjes politike Berisha–Rama të vitit 2008 dhe kalimin në lista plotësisht të hapura për zgjedhjen e deputetëve dhe të këshilltarëve bashkiakë. Sipas Metës, kjo duhet bërë që mandati të merret drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
"Mjaft më me deputetë të kryetarëve"
Në një postim në rrjetet sociale të martën në mbrëmje, Meta shkruan se për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri nevojiten ndryshime të thella. "Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!", shkruan ai.
Ish-presidenti pretendon se vetëm me lista 100 për qind të hapura Shqipëria mund të çlirohet nga kapja e shtetit. Sipas tij, vetëm kështu edhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga "Rilindja", vendi mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe sovraniteti i rikthehet popullit.
Reforma zgjedhore në tryezë
Marrëveshja e prillit 2008 mes Sali Berishës dhe Edi Ramës solli ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore. Ndër to ishte edhe kalimi në sistemin proporcional rajonal me lista të mbyllura.
Thirrja e Metës vjen në ditën kur përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike u ulën bashkë për reformën zgjedhore. Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e cilësoi atë takim si vazhdim të pazareve politike të 35 viteve të fundit.
Ndërkohë, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, pas takimit me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, tha se cilësia e reformës është po aq e rëndësishme sa koha e realizimit të saj.