Qytetarët lënë Ministrinë e Arsimit, nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Shqipëria

Qytetarët lënë Ministrinë e Arsimit, nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 17:12
Protesta

Pas më shumë se dy orësh qëndrimi përpara Ministrisë së Arsimit, studentët dhe qytetarët protestues kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me flamuj në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit po përshkojnë rrugët e kryeqytetit, në vijim të revoltës që këtë të mërkurë shënon ditën e 165-të.

“Dorëheqje”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje e tradhtarëve”, "Shqipëria kërkon revolucion", “Poshtë komunizmi”, "Pa rini nuk ka Shqipëri", "Rama ik, Berisha ik", dhe "Qeveri e krimit", ishin disa nga thirrjet e protestuesve gjatë marshimit drejt Kryeministrisë.

Tubimi kombëtar nisi në zonën e stadiumit “Air Albania”, nga ku pjesëmarrësit u zhvendosën drejt Ministrisë së Arsimit, për të vijuar më pas marshimin drejt selisë së qeverisë.

Përpara Kryeministrisë pritet të bëhen publike edhe kërkesat e protestuesve, të cilët këmbëngulin në dorëheqjen e parevokueshme të kreut të qeverisë.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje dhe bashkim të qytetarëve, duke theksuar se nuk synojnë dialog me Ramën, por largimin e tij nga detyra.

Ndërkohë, grupimi “Studentët në protestë” ka njoftuar pak ditë më parë ndryshimin e strategjisë së tubimeve, duke vendosur që protestat kombëtare të organizohen dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat