TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Sezoni i gripit ka nisur ndërsa rastet e para janë identifikuar që në muajin tetor, me virusin e gripit të tipit A, nëntipi A(H1N1).
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu tha sot se në laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik, identifikimi i viruseve të gripit dhe monitorimi i shtameve që qarkullojnë në vend mundësojnë zbulimin e hershëm dhe marrjen në kohë të masave për mbrojtjen e shëndetit publik.
Në videon e publikuar nga Spahiu, Dr. Iris Hasibra, nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), bën të ditur se metodat e identifikimit të viruseve respiratore bazohen në teknika molekulare të identifikimit viral dhe si të tilla japin një përgjigje të shpejtë për menaxhimin klinik të rasteve dhe parandalimin e shpërthimeve të varianteve të reja në popullatë.
Sipas saj, laboratori i referencës kombëtare për gripin dhe viruseve të tjera respiratore në ISHP prej 15 vitesh realizon teknikat molekulare të identifikimit viral me një saktësi dhe ndjeshmëri të lartë.
“Ky laborator është gjithashtu pjesë e rrjetit global të laboratorëve të referencës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili ka si qëllim monitorimin e varianteve të reja të virusit të gripit që qarkullojnë në popullatë dhe rekomandimet për përbërjen e vaksinës për sezonet e ardhshme”, tha Hasibra.
Laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik përbëjnë një strukturë të rëndësishme të sistemit kombëtar të shëndetit publik në Shqipëri, duke pasur rol kyç në diagnostikimin, parandalimin dhe monitorimin e sëmundjeve infektive, kontrollin e sigurisë ushqimore dhe vlerësimin e faktorëve mjedisorë që ndikojnë në shëndetin e popullatës.