Tiranë, festë me mesazhe paqeje e mirësie

Tirana

Tiranë, festë me mesazhe paqeje e mirësie

Më: 25 dhjetor 2019 Në ora: 09:53
Foto ilustrim

Besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjet, lindjen e Jezu Krishtit.

Në katedralen e “Shën Palit”, në Tiranë besimtarët katolikë kremtuan këtë ditë të shënuar ku mesha u drejtua nga Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

Arqipeshkvi Imzot George Frendo në fjalën e tij gjatë meshës e vendosi theksin te solidariteti që treguan shqiptarët për të prekurit pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit. Ai tha se shqiptarët e kanë të shkruar në ballë dhe në zemër solidaritetin.

Në përfundim të meshës besimtarët uruan njëri tjetrin për sa më shumë mirësi dhe begati.

Ndërsa mesha e ortodoksëve u mbajt mëngjesin e sotëm në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe u drejtua nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Ai iu drejtua besimtarëve me urimin që Viti i Ri 2019 të jetë i bekuar dhe të ketë siguri e paqe.

25 dhjetori është dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën.

Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës

Betlehemi është qyteti i lindjes së Krishtit para dy mijë vjetësh, i cili erdhi në jetë në një kasolle.

Në shërbesat që i paraprijnë Krishtlindjes lexohen pjesët e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15). Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).

Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve.

Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetshmi Zot.

Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat