Zjarri në çerdhet e Tiranës, Vokshi akuza ndaj Veliajt: Po hesht dhe po përdor… - Bota Sot
Zjarri në çerdhet e Tiranës, Vokshi akuza ndaj Veliajt: Po hesht dhe po përdor…

Tirana

Zjarri në çerdhet e Tiranës, Vokshi akuza ndaj Veliajt: Po hesht dhe po përdor…

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 15:06
Albana Vokshi

Partia Demokratike, me anë të deputetes Albana Vokshi, ka akuzuar kreun e Bashkisë Tiranë, për zjarrin në çerdhe.

Sipas PD, Erion Veliaj po hesht dhe po përdor vartësit për të manipuluar opinionin publik për zjarre të qëllimshme në çerdhe.

“Vartësit e Erion Veliaj në Shërbimin e Zjarrfikësve, në tejkalim kompetencash, pohuan atë që Erion Veliaj kishte paracaktuar që ditën e parë dhe që e deklaroi drejtoresha e çerdheve në bashki: se zjarrvënia është e qëllimshme dhe jo përgjegjësi e Bashkisë”, deklaroi Vokshi.

Deklarata e Vokshit:

Një javë nga shpërthimi i bombolës së gazit në çerdhen nr. 14 në “Ali Demi” dhe tre dite nga zjarri në çerdhen nr. 16 në Blloku, jo vetëm nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, por ai po bën gjithçka për të manipuluar opinionin publik.

Veliaj që s’ lë pemë, gur a stol pa propaganduar, vazhdon të fshihet pas urdhrave për manipulimin e dy ngjarjeve të rënda që nxorën në dritë sa të pasigurtë janë fëmijët në çerdhe dhe kopshtet e Tiranës.

Vartësit e Erion Veliaj në Shërbimin e Zjarrfikësve, në tejkalim kompetencash, pohuan atë që Erion Veliaj kishte paracaktuar që ditën e parë dhe që e deklaroi drejtoresha e çerdheve në bashki: se zjarrvënia është e qëllimshme dhe jo përgjegjësi e Bashkisë.

Provat qesharake se kanë gjetur një xham të thyer në një dhomë, ku shpërthimi i një bombole gazi kishte rrëzuar murin përtokë, ngjajnë me skenarin e Griseldës shtatzënë të rrëmbyer nga qeveria e Berishës, skenar të cilin Erion Veliaj e përhapi në Europë për të akuzuar Partinë Demokratike.

Ftojmë mediat të publikojnë të plotë deklaratën e datës 16 të drejtoreshës së çerdheve, e cila, me urdhrin e Erion Veliajt, siguroi prindrit se shpërthimi nuk ka ndodhur në çerdhe, se çerdhet nuk përdorin gaz dhe se ato janë të sigurta.

Në të dyja rastet, si drejtoresha e çerdheve, si zjarrfikësit, po manipulojnë të vërtetën, duke konsumuar disa vepra penale, për të fshehur përgjegjësinë e Erion Veliajt, njësoj siç u veprua edhe me fshehjen e vrasjes së 16 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës 2 vjet më parë.

Nëse e vërteta do të ishte kjo që po tenton të na imponojë Erion Veliaj, atëherë i gjithë shteti duhet të ishte në këmbë, sepse do të ishim përpara akteve të mirëfillta terroriste.

Heshtja e Erion Veliajt është provë e qartë e përgjegjësisë së tij direkte ligjore në mosverifikimin e sigurisë në çerdhe dhe që po rrezikon seriozisht jetën e fëmijëve.

· Në asnjë vend të botës një kryetar bashkie nuk do të heshtte për dy ngjarje kaq të rrezikshme për jetën e qindra vogëlushëve, siç po bën Erion Veliaj.

· Në çdo vend normal të botës, kryetari i bashkisë do të shkonte në çerdhet e përfshira nga zjarret dhe do të urdhëronte verifikimin urgjent të gjendjes.

– Por vetëm në një vend si Shqipëria, kryetari i bashkisë përdor fëmijët si fasadë dhe kapital politik, pavarësisht se cënon sigurinë e jetës së tyre.

Qytetarët e Tianës nuk meritojnë një kryebashkiak si Erjon Veliaj, që mashtron dhe vë në rrezik jetën e fëmijëve të Tiranës, për përfitime ekonomike e politike.?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...