Rukiqi: Miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen duhet ta ketë një epilog vendimtar këtë javë, ndryshe e humb kuptimin

Aktuale

Rukiqi: Miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen duhet ta ketë një epilog vendimtar këtë javë, ndryshe e humb kuptimin

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 10:31
Berat Rukiqi

Kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se beteja për miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19 duhet ta ketë një epilog vendimtar këtë javë, ndryshe sipas tij e humb kuptimin.

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se, argumentet dhe propozimet duhet të vendosen në variantin përfundimtar të Projektligjit.

“Beteja e parë për rimëkëmbjen, përkatësisht miratimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike duhet ta ketë një epilog vendimtar këtë javë. Ndryshe e humb kuptimin. Kemi dëgjuar mjaftë ekspertizë, argumente dhe propozime të cilat mund ta pasurojnë Ligjin për Rimëkëmbjen, përfshirë propozimet shumë përmbajtjesore nga përfaqësuesit e biznesit, partitë politike në pozitë dhe opozitë, ekspertet dhe institutet e ndryshme (Kryetari i Komunës të Prishtinës, GAP, Riinvest, Dardan Sejdiu, etj.). E gjithë kjo ekspertizë dhe propozimet e ndryshme duhet të inkorporohen në variantin përfundimtar të Ligjit. Ligji nuk krijon mrekulli ekonomike, por krijon bazë për të rikthyer konfidencën e humbur te bizneset dhe konsumatorët. Kthimi i konfidencës është parakusht që qytetarët të rrisin konsumin, e në anën tjetër bizneset të rrisin investimet dhe të ruajnë vendet e punës”, ka shkruar Rukiqi.

Ndryshe, kryeministri Avdullah Hoti javën që lamë pas premtoi se këtë javë do të kalojë ky Projektligj.

Projektligji është votuar në Kuvendin e Kosovë në lexim të parë pas tentativës së shtatë, ndërsa tashmë ka dështuar dy herë të miratohet në lexim të dytë.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat