Shoqëria civile rekomandon që të ndryshohet ligji për zgjedhjet lokale

Aktuale

Shoqëria civile rekomandon që të ndryshohet ligji për zgjedhjet lokale

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 23:59
Ilustrim

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave do të mund të shmangeshin me disa ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet Lokale. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se në rast të dorëheqjes për çfarëdo arsye të kryetarit të një komune, duhet të gjendet zgjidhje që ai të zëvendësohet dhe të mos shkohet në zgjedhje për mandat më të shkurtë se një vjeçar.

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave apo kandidimi dhe zgjedhja e tyre në pozita tjera, jo rrallë i ka kushtuar buxhetit të Kosovës, pasi që për pozitat e lëna bosh është dashur të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme. Brenda një mandati katër vjeçar, Mitrovica e Veriut shkoi tri herë në zgjedhje, kurse Podujeva, Drenasi, Rahoveci e komuna tjera, organizuan dy palë zgjedhje brenda një mandati.

Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alia po konsideron që Ligji për Zgjedhjet lokale ka nevojë të reformohet.

“Ligji për zgjedhjet lokale mund të rregullohej shumë lehtë. Së bashku me Kryetarin të votohej edhe nënkryetari në mënyrë që më pas të zëvendësonte çdo lloj dorëheqje të kryetarit duke evituar zgjedhjet e reja për kohë kaq të shkurtra”, deklaroi Rasim Alija.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus tha se këto sisteme të zgjedhjeve po krijojnë defekte

“Po shohim vazhdimisht që po ka kryetarë komunash që pasi po zgjedhen nga qytetarët ata po japin dorëheqje pasi po synojnë poste në nivelin qendrorë duke provokuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të cilat pos që po shpenzojnë buxhetin e shtetin po mundojnë edhe qytetarët të dalin në zgjedhje edhe në kohë të vështira”, deklaroi Albert Krasniqi.

Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të mbahen në fund të vitit 2021, deri kur subjektet politike kanë kohë t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme në ligj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat