​Zyrtarët institucionalë zotohen për zbatim të rekomandimeve të BE-së

Aktuale

​Zyrtarët institucionalë zotohen për zbatim të rekomandimeve të BE-së

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 15:22
Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

Ministra dhe kryeshefa të agjencive të pavarura kanë raportuar sot para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, për zbatimin e rekomandimeve të raportit të komisionit evropian për vitin 2020. Zyrtarët institucional u zotuan për zbatim të mëtejshëm të të gjeturave të BE-së, por thanë se ka pasur edhe progres gjatë këtij viti. Ndërkaq, deputetët iu kërkuan atyre angazhim më të madh në konkretizimin e rekomandimeve të BE-së.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Skender Reçica para anëtarëve të komisionit paraqiti disa nga synimet e tij për të zbatuar rekomandimet e BE-së.

Reçica: Kosova është në fazën e hershme të zbatimit të politikave sociale dhe të punësimit

“Kosova është në fazën e hershme të zbatimit të politikave sociale dhe të punësimit. Ky raport ka evidentuar progres në disa fusha, por ka shumë punë që kemi përpara...Gjatë muajit shtator 2020, MPMS ka proceduar në Qeveri dy projektligje që lidhen me marrëdhënien e punë. Projektligjin e punës dhe atë të pushimit të lehonisë. Në dy këto projektligje janë propozuar 17 direktiva të BE-së. Duke marrë parasysh rrethanat me pandeminë Covid 19 dhe faktin që këto kanë kosto buxhetore dhe gjithnjë duke pas kujdes në ruajtjen e sistemit fiskal dhe nevojën që vendi të ketë sa më shpejtë ligj që ndërlidhet me marrëdhënien e punës ne jemi pajtuar të procedojmë me një ligj të ri të punës, një të vetëm i cili do të përfshijë dispozitat e pushimit të lehonisë dhe prindëror. Dispozitat parashohin të drejta dhe obligime të qarta për punëdhënësit, ku avancojnë gratë në tregun e punës dhe avancojnë ato nga diskriminimi dhe ndërprerja e marrëdhënieve të punës pa arsye”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi tha se sfidë në zbatimin e rekomandimeve të BE-së për fushën e industrisë është buxheti i mangët.

Krasniqi: Sfidë kryesore për fushën e industrisë është buxheti

“Ndër sfidat kryesore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që parasheh implementimin e këtyre rekomandimeve në fushën e industrisë, sfidë kryesore është buxheti. Fakti se jemi në kohë pandemie dhe jemi te detyruar që brenda vitit të bëjnë shkurtimi dhe rishikimi të buxhetit për të adresuar rreth fondit rezervë për t’i dalë në ndihmë bizneseve”, tha ai.

E kryetari i komisionit, Endrit Shala tha se vendosja e flamurit te produktet ushqimore duhet të vazhdojë ende, pasi këtë formë vetëdijësohen qytetarët.

Shala: Nen problematik nuk është vendosja e flamurit për produktet

“Neni problematik nuk është vendosja e flamurit për mbrojtjen ose vetëdijesimin e qytetarëve se cilin produkt do të blejnë. Është mirë që ai Ligj të plotësohet dhe ndryshohet për vetëdijesimin e mëtutjeshëm të konsumatorëve dhe mbrojtjen e tij. Por mendoj që shumica e deputetëve që e kanë votuar këtë ligj vlerësojnë se vendosja e flamurit në produkte e vetëdijesim qytetarin se çfarë do të blenë”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati duke i kërkuar efikasitet më të madh në zbatimin e rekomandimeve të BE-së, kritikoi ministrit Krasniqi se në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike nuk ka përfshi asgjë sa i përket prodhuesve vendor.

Murati: Nuk kemi pa asgjë as i përket prodhuesve vendor

“ Nuk kemi pa asgjë as i përket prodhuesve vendor, nuk kemi parë gjë edhe sa i përket eksportueseve, për ndërmarrjen që flet për gratë apo kategoritë tjera që janë të cenueshme”, tha ai.

Pjesë e këtij raporti ishin edhe zyrtarë të ZRRE-së, ARKEP-it dhe AKK të cilët thanë se janë duke punuar në vazhdimësi për zbatimin e rekomandimeve të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat