Dëshmia e tri grave shqiptare: Serbët na rrëmbyen, droguan dhe përdhunuan deri sa humbnim vetëdijen

Aktuale

Dëshmia e tri grave shqiptare: Serbët na rrëmbyen, droguan dhe përdhunuan deri sa humbnim vetëdijen

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 14:24
Ilustrim

Përveç largimit me forcë nga shtëpitë e tyre, plagosjeve dhe vrasjeve, serbët nuk ndaleshin së kryeri krime në Prishtinë, pas ndërhyrjes së NATO-s. Ata grabitën, dogjën shtëpitë e shqiptarëve rrëmbyen vajza dhe gra, i droguan dhe më pas i përdhunuan deri sa humbnin vetëdijen.

Në dosjen e OKB-së tri ferma kanë dëshmuar për hetuesit dhunën seksuale që pësuan në Prishtinë në prill dhe maj 1999. K62-shi, K14-a, dhe K31-shi, të gjitha gra shqiptare, rrëfyen në hollësi për vuajtjet e tyre në duart e ushtarëve dhe policëve serbë.

K62-shi dëshmoi se më 1 prill 1999 ndodhej vetëm në shtëpi kur erdhën tre ushtarë serbë. Dy nga ata filluan të bastisnin apartamentin, kurse i treti e hodhi K62-shin në dysheme dhe e përdhunoi.

Të njëjtën gjë bënë edhe dy të tjerët. Pas largimit të këtyre personave, K62-shi arriti të kontaktonte burrin me ndihmën e një fqinji dhe ai u kthye në shtëpi menjëherë.

Ata qëndruan në apartamentin e tyre edhe dy net të tjera derisa u dëbuan nga shtëpia më 3 prill 1999. Më pas ajo takoi një grua, e cila i kishte thënë se e njëjta gjë u kishte ndodhur shumë grave të tjera në Prishtinë në atë kohë.

Dëshmia e dytë

Në maj 1999, K14-a ishte në mes të adoleshencës së saj kur u përdhunua në Prishtinë. K14-a tregoi se në fund të majit 1999 një grup policësh shkuan në shtëpinë e saj. Të nesërmen dy nga policët u kthyen së bashku me një person vendës, të cilin ajo e njihte dhe i cili ishte me uniformë policie. Policët i çuan K14-ën dhe motrën e saj në një makinë të parkuar jashtë. Gjithsesi motrën e lejuan të kthehej në shtëpi para se të nisej makina.

K14-ën e futën në ulësen e pasme me njërin nga policët, i cili e goditi në ije me kondakun e pushkës. Ai gjithashtu e goditi me shpullë në fytyrë, e kafshoi në qafë dhe ia spërkati fytyrën me një lëng pa ngjyrë nga një shishe plastike e tejdukshme. Pas pesë minutash, ajo u ndje e shtendosur dhe filloi të qeshte.

Në Hotel Bozhur në qendër të Prishtinës, K14-ën e çuan përmes bodrumit në një dhomë në katin e dytë, ku njëri nga policët e përdhunoi. Polici tjetër qëndroi jashtë. Më pas, ai i cili e përdhunoi i tha se nuk do ta linte policin tjetër brenda nëse do t’i premtonte se do të kthehej përsëri të hënën dhe nëse do ta sillte motrën e saj për shokun e tij. K14-a pranoi sepse donte të largohej.

Në makinë gjatë rrugës për në shtëpinë e saj, ai vazhdoi ta kujtonte që të kthehej të hënën. Kur u kthye në shtëpi, ajo i tregoi një shoqeje se çfarë i kishte ndodhur. Shoqja e saj i tha se e njëjta gjë i kishte ndodhur edhe asaj dhe se e kishin çuar në një shtëpi civile ku e kishin përdhunuar katër burra, që e kishin sjellë në shtëpi pas dy ditësh.

K14-a shtoi se të nesërmen personi vendës i cili i kishte shoqëruar policët një ditë më parë, erdhi përsëri në shtëpinë e saj dhe i tha të mos brengosej se nuk do të mbeste shtatzënë dhe se, nëse kishte frikë, mund të rrinte në shtëpinë e tij.

Po atë ditë dhe të nesërmen, polici i cili e kishte përdhunuar dhe tjetri që nuk e kishte përdhunuar, kaluan me makinë pranë shtëpisë së saj disa herë duke i rënë borisë. Në orën 04:00 të hënën tjetër, kur duhej të shkonte në hotel, K14-a dhe familja e saj u larguan nga Prishtina në këmbë.

Dëshmia tretë

Në maj 1999, K31-shi, femër shqiptare nga komuna e Kaçanikut, ishte në moshën 16-18 vjeçare kur e përdhunuan tre ushtarë serbë në spitalin e qytetit të Prishtinës.

Nga fundi i majit 1999, atë dhe vëllanë e saj të lënduar i dërguan nga komuna e Kaçanikut në spitalin e qytetit të Prishtinës. K31 dëshmoi se gjatë rrugës një ushtar e dhunoi seksualisht në makinë. Kur mbërritën në spital në Prishtinë, K31-shin e çuan në bodrum dhe e futën në një dhomë të errët të kyçur pa orendi, ku ishin edhe rreth 10-15 gra, të gjitha shqiptare. Rreth 20 minuta më vonë erdhi një ushtar me elektrik dore i cili zgjodhi K31-shin dhe e çoi në një dhomë tjetër në bodrum.

Ai dhe dy ushtarë të tjerë e rrahën dhe e detyruan të pinte diçka me shije të hidhur dhe pastaj ajo u ndje sikur të ishte goditur në kokë. Pasi dy ushtarë u larguan nga dhoma, K31-shin e përdhunoi edhe ushtari që e kishte përzgjedhur në fillim; ai i kafshoi supet, krahët dhe gjinjtë dhe ia mbylli gojën me dorë. Ndërsa K31-shi ishte ende në dysheme, një ushtar tjetër erdhi në dhomë dhe e përdhunoi dy herë. Pas kësaj, ky ushtar ftoi të tretin në dhomë.

Më pas K31-shi humbi vetëdijen. Edhe ky ushtar mund ta ketë përdhunuar kur ajo dergjej pa ndjenja, por e vetmja gjë që i kujtohej pas kësaj ishte se kur u përmend ajo ishte lakuriq e shtrirë në shpinë në dhomën e zbrazët. Kur më në fund u ngrit në këmbë, ajo u largua nga dhoma dhe shkoi në katin e parë, i cili ishte i braktisur, shkruan Pamfleti.

Më tej K31 gjeti vëllanë në katin e pestë dhe u fsheh afër tij gati dy javë, sepse i kishin thënë se, nëse dilte nga spitali, nuk do ta lejonin të kthehej. Gjatë qëndrimit në spital, ajo pa policë dhe ushtarë me armë automatike. Ajo dhe vëllai i saj u larguan nga spitali në mes të qershorit 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat