Zhvillimet e fundit: Vajza e Gani Gecit e tërheq nënshkrimin për seancën e jashtëzakonshme- shkak iniciativa e PDK-së

Aktuale

Zhvillimet e fundit: Vajza e Gani Gecit e tërheq nënshkrimin për seancën e jashtëzakonshme- shkak iniciativa e PDK-së

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 13:16
Marigona Geci dhe Gani Geci

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci e ka tërhequr nënshkrimin për seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet nesër, e ku pritet miratimi i projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Burime të medias Brenda LDK-së bëjnë të ditur se tërheqjen e nënshkrimit çika e Gani Gecit e ka marrë bazuar në atë që iniciativa për seancën e jashtëzakonshme ka qenë e PDK-së, dhe jo e LDK-së.

“Unë e kam nënshkruar listën e LDK-së për iniciativën e LDK-së për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike sikur herën e parë, e jo për nismën e PDK-së”, thuhet ndër të tjera në letrën që Geci ia ka dërguar kabinetit të kryetares së Kuvendit, merr vesh Blic.

Ajo ka arsyetuar këtë tërheqje të nënshkrimit me faktin që iniciativa nuk është e LDK-së, por e një grupi tjetër parlamentar.

Prandaj, siç ka shkruar ajo, “tërheq nënshkrimin tim nga lista nënshkruese e LDK-së, që I është bashkangjitur PDK-së”.

Ndryshe, dje me mbështetjen e PDK-së, ka kaluar në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Transfere projektligji për rimëkembje ekonomike, pasi koalicioni i ka pranuar kushtet e PDK-së.

Ndërkohë, me iniciativën e PDK-së është ftuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me pikën e vetme të rendit të ditës, votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat