Cili do të jetë fati i Vjosa Osmanit pas ndarjes nga LDK-ja, sipas Mazllum Baraliut

Aktuale

Cili do të jetë fati i Vjosa Osmanit pas ndarjes nga LDK-ja, sipas Mazllum Baraliut

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 12:05
Mazllum Baraliu

Në Kosovë është bërë praktikë që çdoherë kur një person apo disa të tillë të kenë mospajtime në partinë ku ndodhen ta ndërrojë apo edhe të themelojnë një të re.

I tillë është rasti i Vjosa Osmanit, u.d Presidentes dhe kryetares së Kuvendit, e cila prej kohësh nuk i ka punët mirë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ajo ka paralajmëruar një iniciativë të re politike, por që po shikohet me skepticizëm, madje edhe po thuhet se e pret fati i Nexhat Dacit apo Bujar Bukoshit.

Të paktën i këtij mendimi është njohësi i çështjeve politike në vendin tonë, Mazllum Baraliu.

Baraliu ka treguar se cila është rruga në të cilën do të përfundojë Osmani në këtë rast.

“Përvoja ka filluar se daljet nga parti amë nuk kanë treguar ndonjë sukses afatgjatë, por megjithatë kjo s’do të thotë që kjo s’do të ketë sukses. Së pari ajo do të duhej të qëndronte në LDK, pasi të qëndruarit brenda qoftë edhe si anëtare e thjeshtë shumë ma tepër do të kishte efekt, i kemi parë ata që janë largu si kanë përfundua si Dacin apo Bukoshin. Qytetarët tanë janë të tillë që nuk lëkunden lehtë dhe atë qe kanë besuar në një parti kthehen aty”, u shpreh Baraliu.

Ndonëse thekson se më mirë do të ishte që Osmani të qëndrojë qoftë edhe si anëtare e thjeshtë brenda LDK-së, ai ka një ide që Vjosa të jetë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme.

“Më mirë do të ishte që nga LDK-ja të bëjë përpjekje. Më e veçanta do të ishte të bëjë ndonjë shoqatë qe e lejon ligji për zgjedhje. Por të krijojë parti të re unë nuk e di se si do ia dalë, mendoj se ajo e ka rrugën dhe idenë e saj dhe besoj se do të ketë sukses. LDK-së i duhet një si zonja Osmani”, përfundoi ai.

E se Osmani nuk do të mund të kaloj as pragun në rast se do të krijojë një parti të re e thotë analisti tjetër, Shkodran Ramadani.

Madje sipas Ramadanit, ani pse elektorati i Vetëvendosjes ka një simpati për të, kjo gjë nuk do të përkthehet në vota.

“Nuk besoj se Vjosa do të ketë sukses për me kalua pragun zgjedhor mendoj se nën 5% ka me kanë. Në mënyrën që ajo është rreshtuar në krah të Albin Kurtit kundër partisë se saj ka humb besimin e elektoratit. Vjosa ka marrë një simpati të Vetëvendosja, por ato s’do të përkthehen në votë, pasi elektorati i Vetëvendosjes nuk i jep votë Vjosës, por Albinit”, u shpreh Ramadani.

E pothuajse si Baraliu edhe Ramadani, mendon se zgjedhja me e mirë për Osmanin do të ishte marrja pjesë në zgjedhje përmes një liste.

“Vjosa mundet me një listë prej disa deputetëve të LDK-së t’i bashkohen Vetëvendosjes përmes një liste, por jo të bëjë ndonjë parti të re.

Unë nuk besoj që Vjosa ka me përsërit ndonjëherë në jetën e saj suksesin e 6 tetorit”, tha ai tutje.

Kujtojmë se Osmani, muaj më parë ndau rrugët me partinë e saj të parë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ish-nënkryetarja e LDK-së, ka potencuar se po i shqyrton të gjitha mundësitë për të ardhmen e saj në politikë, duke theksuar se LDK ia ka mbyllur dyert.

“Ma kanë mbyllur derën dhe kanë zgjedhur rrugë tjetër”, ka deklaruar ajo duke folur për LDK-në.

Ndonëse ka hedhur po ashtu poshtë mundësinë që t’i bashkohet një partie tjetër politike në Kosovë, ajo ka thënë se po mendon krijimin e një iniciative të re.

“Jemi duke i shqyrtuar mundësitë. Natyrisht jo që të aderoj në një parti tjetër. Njerëz profesionistë, me integritet, do të mund të bashkoheshin për t’i dhënë qytetarëve një mundësi për të ecur përpara”, ka deklaruar ajo muaj më parë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, Osmani ishte gruaja më e votuar në Kosovë dhe më e votuara në listën e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat