Gucati në Hagë: E kam mbrojtur atdheun, jam invalid i luftës

Aktuale

Gucati në Hagë: E kam mbrojtur atdheun, jam invalid i luftës

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 14:47

(E plotësuar 15:25) - Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati është deklaruar i pafajshëm para Dhomave të Specializuara në Hagë, në seancën e parë ndaj tij që prej konfirmimit të aktakuzës.

Përpara vet-deklarimit, Gucati ka thënë ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë luftuar për liri dhe në mbrojtje të atdheut.

Gucati: E kemi mbrojtur pragun e shtëpisë, jemi të pafajshëm

“Unë Hysni Gucati, dhe bashkëluftëtarët e mijë kemi mbrojtur pragun e shtëpisë, dhe atdheun tonë dhe si pasojë unë jam plagosur me 3 qershor 1999 dhe sot jam invalid i luftës së UÇK-së. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm, unë kam të drejtën e lirisë dhe shprehjes dhe të drejtën të shprehjes së mendimeve të mija, është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbrojë vlerat e kombit shqiptar dhe të UÇK-së, dhe do të vazhdojë t’i mbrojë këto vlera deri në fund”, ka thënë Gucati.

Gucati ngarkohet me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Për të gjitha pikat e aktakuzës, ai sot është deklaruar i pafajshëm.

Gucati: Vet-deklarohem i pafajshëm

“Vet-deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat që më janë mveshur mua”, tha ai.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes së Gucatit pritet të caktohet në ditët në vijim.

Kreu i veteranëve të luftës së UÇK-së u arrestua më 25 shtator 2020 në zyrat e organizatës, pas bastisjes që hetuesit e Speciales dhe Policia e EULEX-it zhvilluan në OVL-UÇK.

Po atë ditë, Gucati është transferuar për në Hagë ku po mbahet në paraburgim.

E disa ditë para kësaj, krerët e kësaj organizate në konferenca për media kishin deklaruar se në selinë e tyre në Prishtinë, nga persona të paidentifikuar, po arrijnë pako me dokumente të Speciales.

***

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati është deklaruar i pafajshëm për  të gjitha pikat e aktakuzës.

Ai është deklaruar sot në seancën që po mbahet ndaj tij në Gjykatën Speciale.

“Në të gjitha pikat që mu lexuan deri tash, e ndjej veten të pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Gucati.

Gucati e bëri këtë veprim në konsultim me avokatin e tij Jonathan Ellison Rees.

***

(14:56) - Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, është paraqitur në seancën e sotme pas konfirmimit të aktakuzës në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara.

Në orën 14:00, ka nisur seanca e parë pas konfirmimit të aktakuzës së kryetarit të OVL-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guillou e ka pyetur Hysni Gucatin se a e ka marrë aktakuzën ndaj tij.

Gucati është përgjigjur duke thënë po.

***

Ka nisur seanca e Speciales ndaj kryetarit të OVL e UÇK-së, Hysni Gucati pas konfirmimit të aktakuzës.

Sekretarja e Gjykatës Speciale ka lexuar pikat e aktakuzës që e ngarkojnë kryetarin e OVL e UÇK-së, Hysni Gucati.

Gucati akuzohet për gjashtë  vepra penale.

“1. Pengim i peronave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të kërcënimit, 2. Pengim i peronave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në një veprim të një grupi, 3. Frikësim gjatë procedurës penale, 4. Hakmarrje, 5.Shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes publikimit të paautorizuar të informacioneve të fshehta dhe 6. Shkelje e fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të identiteti të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha sekretarja.

Ajo shtoi se këto vepra penale u kryen në mes 7 dhe 25 shtatorit 2020.

Sekretarja theksoi se ekziston dyshimi se Hysni Gucati mbanë përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre veprave penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat