Krasniqi flet për “lojën” serbe, që s'po kuptohet siç duhet nga Shqipëria dhe Kosova

Aktuale

Krasniqi flet për “lojën” serbe, që s'po kuptohet siç duhet nga Shqipëria dhe Kosova

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 21:35
Milazim Krasniqi

Megjithëse në Bruksel negociatorët janë ulur për të diskutuar për të ardhmen e marrëdhënies Kosovë-Serbi, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç, kanë vazhduar shkëmbimin e replikave me njëri-tjetrin.

Artikulimit të presidentit serb se “deri në prill 2022, Serbia nuk do ta njohë Kosovën”, pra pikërisht kur mbaron mandati i tij, kryeministri Hoti i është përgjigjur se nëse nuk ka njohje reciproke, atëherë nuk ka as marrëveshje me Serbinë”.

Përplasja në distancë vjen afro tre muaj, pasi dy liderët nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Tramp, një marrëveshje për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo marrëveshje ende nuk ka filluar të zbatohet.

Pedagogu i gazetarisë dhe analisti, Milazim Krasniqi tha për Euronews Albania se në deklaratat e Vuçiç për mosnjohjen e Kosovës nuk ka asgjë të re, pasi ky qëndrim shton ai, ka qenë 'zotimi solemn' i tij para deputetëve në Kuvendin e Serbisë. 

“Në të vërtetë Vuçiç është brenda premtimit që ka dhënë si president i Serbisë, me rastin e inaugurimit të tij në parlamentin serb, i cili në deklaratën solemne ka thënë se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe ai do ta trajtojë si të tillë. Nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrim të tij dhe vetëm naivitetit politik i disa politikanëve në Kosovë si me thënë shprehin çudi në deklarata të tilla, sepse ai është brenda qëndrimit të vet. Kështu ne duhet të mësohemi me këtë qëndrim që ka Vuçiç. Ai edhe nëse rizgjidhet sërish president, ai nuk do ta njohë Kosovën”, tha ai.

Sa i takon këmbënguljes së Hotit se deklaratat e Vuçiç nuk i shërbejnë  vijimit të dialogut mes dy vendeve, z. Krasniqi tha se kjo është lëvizje për kapital politik pasi Kosova nuk ka asnjë fuqi për të kundërshtuar presionin e ndërkombëtarëve mbi dialogun. 

Ai shtoi se se qeveria e kryeministrit Hoti është e dobët dhe nuk ka fuqi të ndryshojë gjërat pasi varet nga Lista Serbe.

“Zoti Hoti është në vështirësi të madhe qeverisëse për shkak dhe të krizës që ka Kosova me qeverisjen, edhe me presidentin, dhe ka nganjëherë nevojë për deklarata të tilla për oksigjen, të cilat ia kompensojnë deficitin patriotik, përndryshe është jo realist, sepse në fund të fundit fuqia e qeverisë së tij, fjala vjen të refuzojë presonin ndërkombëtar, ku u pa edhe ne marrëveshjen e Uashingtonit, në të cilën pranoi gjëra që nuk duheshin pranuar. Prandaj po them se është për marketing dhe për konsum të brendshëm, por qeveria e tij është aq ë dobët sepse varet nga Lista Serbe, dhe Lista Serbe dirigjohet nga presidenti Vuçiç. Në këtë aspekt, kjo qeveri nuk ka fuqi t’i ndryshojë gjërat”, shtoi ai.

Sa i takon mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë, analisti Krasniqi shkon më tej duke thënë se në këto rrethana e konfiguracione politike, nuk pret që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, të paktën jo për një kohë të shkurtër. 

Ai u shpreh se Kosova dhe Shqipëria nuk po e kuptojnë qëllimin e fshehtë e Serbisë, e cila sipas tij, nuk synon integrim në BE, por thjesht kërkon një afrim me unionin për të marrë fonde pasi llogarit të ruajë statusin preferencial, që ka ndërtuar tashmë me Rusinë.

“Në fakt unë besoj se marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë për një kohë të gjatë përderisa në fakt BE e ndan mendjen për të arritur një marrëveshje, sepse rruga e integrimit Serbisë drejt BE është e kushtëzuar nga zgjidhja e problemit me Kosovën, por BE nuk ka një politikë unike në raport me Serbinë, dhe ashtu presioni nuk arrin të fokusohet për ta detyruar të ndryshojë mendjen. Serbia nuk është e interesuar të anëtarësohet në BE, por të afrohet me Bashkimin Evropian, të marrë fonde për ta ruajtur statusin preferencial që ka me Rusinë. Shumica e politikanëve tonë në Kosovë, por edhe në Shqipëri nuk po e kuptojnë politikën serbe, dhe po e marrin si të mirëqenë se orientimi i saj drejt BE është konsensual. Absolutisht jo, Serbia nuk e ka prioritet anëtarësimin në BE, prandaj luan këto lojëra me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën”, tha ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat