Lajm i mirë! Ilaçi kundër trashjes së gjakut, 300 mijë doza Fraxiparinë arrijnë në Kosovë

Aktuale

Lajm i mirë! Ilaçi kundër trashjes së gjakut, 300 mijë doza Fraxiparinë arrijnë në Kosovë

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 19:03
Ilustrim

Për disa javë, qytetarët nuk kanë arritur të blejnë Fraxiparinë, përkundër nevojës së madhe për ta përdorur atë nga ana e personave të infektuar me COVID-19.

Furnizim me këtë injeksion i cili rregullon koagulimin e gjakut, nuk ka pasur as në spitalet rajonale e as në barnatoret private. Mirëpo, nga sot Kosova është furnizuar me 300 mijë doza Fraxiparina. Qytetarët mund t’i gjejnë ato në spitale e në barnatore private.

Derisa javëve të fundit qytetarët kanë hasur në vështirësi për furnizim me Fraxiparinë, nga sot ata mund ta gjejnë këtë injeksion në institucionet publike shëndetësore në vend e në barnatoret private.

Rreth 300 mijë injeksione Fraxiparinë kanë ardhur sot në Kosovë.

Institucionet publike shëndetësore tashmë janë duke u furnizuar me këtë injeksion i cili është shumë e nevojshme për koagulimin e gjakut.

Ndërsa, pasdite edhe barnatoret private në vend pritet të furnizohen me të.

Kështu ka bërë të ditur Milaim Abdullahu, përfaqësues i distributorëve dhe importuesve farmaceutikë në Kosovë.

Ai ka thënë se furnizimi që ka ardhur sot do të jetë i mjaftueshëm për qytetarët.

“Sot ka ardhur furnizimi me Fraxiparinë dhe institucionet publike shëndetësore tashmë janë duke u furnizuar me të. Ne u kemi dhënë atyre përparësi për furnizim. Ndërsa pasdite do të furnizohen edhe barnatoret private”, ka thënë ai.

Abdullahu ka thënë se furnizimi është bërë me Fraxiparinë 0.4 ml dhe 0.6 ml.

Sipas tij, ky furnizim do të jetë i mjaftueshëm deri në fund të janarit, pasi që gjatë këtij muaji do të ketë përsëri furnizim.

“Pasi kanë munguar Fraxiparinat 0.4 ml dhe 0.6 ml, sot është bërë furnizimi me to. Furnizimi do të jetë i mjaftueshëm deri në fund të janarit. Gjatë mesit të janarit do të ketë prapë furnizim me to”, ka deklaruar ai.

Nga spitalet rajonale në vend, kanë bërë të ditur se më herët kanë pasur furnizim me Fraxiparinë, por që së fundmi është shpenzuar ky injeksion për shkak të kërkesave të mëdha të pacientëve.

Ndërsa, Abdullahu ka deklaruar se kanë mbetur pa furnizim për shkak se kërkesat për furnizim i bëjnë në fillim të vitit, dhe se për shkak të pandemisë COVID-19 u janë gjashtëfishuar kërkesat për furnizim me të.

Sipas tij, në janar të viti 2020 kur janë dorëzuar planet për furnizim ishte kërkuar furnizimi me 200 mijë Fraxiparina, por që rritja e kërkesave për këtë injeksion nuk ishte paraparë, andaj edhe ishin ballafaquar me mungesë të tyre.

Ndërsa, shumë qytetarë janë ankuar se përkundër nevojës për këtë injeksion ata nuk kanë mundur të furnizohen askund me të. Andaj edhe kanë përdorur barna tjera për ta mbajtur nën kontroll gjendjen shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat