Vetëvendosja interesgjike: Vitin e kaluar uroi LDK-në dhe kujtoi Xhemajl Mustafën, këtë vit asnjërën

Aktuale

Vetëvendosja interesgjike: Vitin e kaluar uroi LDK-në dhe kujtoi Xhemajl Mustafën, këtë vit asnjërën

Nga: D.RR Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 08:29
Albin Kurti dhe Xhemajl Mustafa

Vetëvendosje vitin e kaluar pati uruar LDK-në me rastin e 30-vjetorit të themelimit. Përderisa vitin e kaluar LVV-ja lartësoi LDK-në duke thënë se ka lindur si lëvizje politike, shoqërore e intelektuale, në krye me Ibrahim Rugovën, këtë vit deri më tani, nga kjo parti nuk ka pasur asnjë urim, shkruan "Bota sot".

“Para 30 vjetëve ishte kohë e vështirë: 1989 ishte vit i suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, burgjet gjithandej Serbisë e Jugosllavisë ishin mbushur përplot me shqiptarë, kurse demonstratat në Kosovë bëheshin të fuqishme dhe të shpeshta. Po shpërbëhej federata, populli kërkonte republikë, LDK lindi si lëvizje politike, shoqërore e intelektuale, me në krye dr.Ibrahim Rugovën. Shumë punë e përpjekje janë bërë për demokraci dhe liri, nga mijëra e mijëra aktivistë të devotshëm. Urime ditën e themelimit!”, ishte urimi i VV-së vitin e kaluar.

Kujtojmë që asokohe LVV-ja dhe LDK-ja ishin duke negociuar për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, e cila u finalizua më 3 shkurt 2020.

Gjithashtu kreu i VV-së, Albin Kurti, pati kujtuar e uruar Xhemajl Mustafën në rastin e ditëlindjes së këtij të fundit, e që ishte hera e parë për Kurtin që kujton Xhemajl Mustafën.

Por këtë vit, pas prishjeve të raporteve me LDK-në, Albin Kurti dhe Vetëvendosje nuk e bën asnjërën, si vitin e kaluar.

Kujtojmë se zgjedhjet e reja janë në fund të muajit janar dhe LDK e VV nuk kanë përafrime për një koalicion të mundshëm./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat