Limaj thotë se janë futur në këtë garë zgjedhore për të mbrojtur shtetin

Aktuale

Limaj thotë se janë futur në këtë garë zgjedhore për të mbrojtur shtetin

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 19:03
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shpalosur para kryesisë së Nismës në Shtime vizionin e tij për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai ka thënë se ndodhet në një vatër të luftës dhe fal dhimbjes e sakrificës është kthyer në simbol të lirisë së Kosovës. Lideri i Nismës ka thënë se koncepti i tij është në mbrojtje të shtetit, sepse vendi po rrezikohet.

“Ne besojmë se vendi ynë është në rrezik. Slogani ynë i fundit ka qenë bashkë për shtetin dhe apeli ynë ka qenë të bëhemi bashkë duke parashikuar rreziqet që po na vinë për t’i preventuar ato. Ne qysh para tri vjetësh kemi paralajmëruar se Kosova do të jetë në një udhëkryq të madh. Populli i Kosovës t’i jep orientimin vendit kah do ta çojë. Njëri drejtim çon të dëmi i pariparuar”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se Kosova sot është e atakuar nga të gjitha anët dhe po duan që vendi të kthehet në një shtet jofunksional dhe të padëshirueshëm nga qytetarët.

“Sot po preken vlerat tona kombëtare. Kosova po kontestohet jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Unë kam pasur mospajtime me Hashim Thaçin dhe politikat e tij, por ai ka shkuar atje për luftën çlirimtare dhe jo për qeverisjen e tij. Prandaj ai dhe bashkëluftëtarët tjerë që janë në Hagë e kanë mbështetjen time të plotë 24 orë”, ka shtuar Limaj.

Kreu i Nismës ka thënë se fytyra e parë publike e UÇK-së, ka qenë Jakup Krasniqi dhe ai ka qenë fytyra zyrtare e kësaj ushtrie.

“UÇK-në e keni njohur fillimisht përmes Krasniqit. Ata e kanë e marrë imazhin e UÇK së. Po duan me sulmua imazhin e lirisë së UÇK-së”, tha ai.

Limaj ka thënë se rreshtimi është shumë më rëndësi në politikë, por ka thënë se rreshtimi i Nismës ka qenë i drejtë, pavarësisht se nuk ka mund t’i ndal disa dëme që i janë bërë vendit. I pari i Nismës i ka ftuar anëtarët e kryesisë së Nismës që garën mos ta bëjnë për të, por për të mbrojtur shtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat