​Osmani u drejtohet ushtarëve, thotë se FSK është e gatshme për misione paqeruajtëse

Aktuale

​Osmani u drejtohet ushtarëve, thotë se FSK është e gatshme për misione paqeruajtëse

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 12:32
Vjosa Osmani

(E plotësuar 13:59) - Vjosa Osmani, e cila po ushtron postin e presidentit të Kosovës, u është adresuar ushtarëve të Kosovës në kazermën “Adem Jashari”. Prej aty, Osmani ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për pjesëmarrje ne misione paqeruajtëse në botë.

Osmani, e cila është edhe komandante supreme e FSK-së, tha se FSK po shndërrohet në ushtri moderne, duke theksuar synimin themelor të Kosovës, anëtarësimin në NATO.

Osmani: FSK e gatshme për misione paqeruajtëse

“Ka ardhur koha që ushtarakët tanë të japin kontributin e tyre në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, sepse përmes përvojës së tillë ju do të shquheni për profesionalizmin, besueshmërinë, kontributin për paqe e siguri në botë dhe po ashtu lojalitetin ndaj vlerave më të larta demokratike. Sot mund të kemi një ushtri të vogël në numra, por ka një zemër e trimëri të madhe, e gatshme e profesionale t’i shërbejë atdheut e mbrojtjes së interesave shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar ushtarakë, sot ne kujtojmë me krenari rolin e UÇK-së dhe në veçanti të komandantit Adem Jashari, familjes Jashari në luftën për çlirimin e atdheut”, tha Osmani.

Në adresimin para ushtarëve, Osmani tha se viti 2020 ka qenë i suksesshëm për FSK-në sa i përket ngritjes së kapaciteteve.

Osmani: FSK po përmbyll një vit të suksesshëm

“Forca, edhe pse është në fazën e ngritjes së kapaciteteve , standardizimit e modernizimit, mund të themi që ky vit ka qenë i suksesshëm përkundër sfidave, dhe kjo ngritje është e bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe me sukses po e përmbyll fazën e parë të tij duke harmonizuar të gjitha dokumentet strategjike, rregulloret, doktrinat dhe dokumente të tjera bazë për funksionim të mirë të FSK-së për misionin e saj të ri në mbrojtje të të gjithë territorit të Republikës sonë dhe duke ngritur strukturën e komandim kontrollit”, tha Osmani.

Osmani, edhe njëherë theksoi gatishmërinë e Kosovës që Forca të bëhet pjesë e NATO-së, duke përmendur që ky është orientim themelor. Ajo tha se Ushtria e Kosovës po shndërrohet në hapa të sigurt në ushtri moderne falë bashkëpunimit me aleatët perëndimor, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sivjet, Forca e Sigurisë së Kosovës po e mbyll fazën e parë të tranzicionit, bazuar në planin gjithëpërfshirës për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. /

***

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani u është drejtuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” për të cilët ka thënë se po dëshmojnë profesionalizëm të lartë.

“Ushtria e Kosovës po shndërrohet në ushtri moderne falë bashkëpunimit me aleatët perëndimorë veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

“Kujtojmë me krenari rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarët tanë e veçanërisht për dëshmorët që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot”, shtoi Osmani.

Përkundër sfidave për shkak të pandemisë, Osmani tha se ky vit ishte i suksesshëm në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, e cila ka dëshmuar gatishmërinë e saj për t’i shërbyer vendit dhe paqes me profesionalizëm.

“Ju ishit gjithnjë të gatshëm t’i dilni në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të vendit, duke mos kursyer asgjë nga vetja”, tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat