Rriten numri i të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj, në mesin e tyre ka edhe fëmijë, kjo është gjendja e të tyre

Aktuale

Rriten numri i të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj, në mesin e tyre ka edhe fëmijë, kjo është gjendja e të tyre

Më: 5 janar 2021 Në ora: 15:41
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 19:32) - Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se po bëjnë përpjekjet maksimale për personat që pësuan lëndime të rënda si pasojë e shpërthimit të gazit në një restorant në Ferizaj.

Aliu tha se po mundohen t’i lehtësojnë procedurat për shërim të të lënduarve në Turqi, sipas rekomandimeve të mjekëve.

Postimi i plotë:

Po bëjmë përpjekje maksimale që për të lënduarit në gjendje më të rëndë, ta lehtësojmë procedurën për shërim në Republikën e Turqisë, sipas rekomandimeve të mjekëve, pas vendosjes së kontakteve nga Komuna e Ferizajt bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik-Universitar të Kosovës dhe kërkesës tonë pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë.

Zemërthyer e të tronditur jemi sot, jo vetëm ne ferizajasit, nga vala e zjarrit e shpërthimi i fuqishëm që lëndoi dhjetëra qytetarë. Ferizaj do ta kapërcej edhe këtë plagë që nisi vitin. Të gjithë jemi me lutjet tona për shërimin e të lënduarve dhe pranë familjeve të tyre. I jashtëzakonshëm ishte edhe reagimi i mjekëve e infermierëve ferizajas dhe stafit teknik nga komunat fqinje, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve, solidarizimi i bizneseve me këtë fatkeqësi e qytetarëve të rastit që me reagimin e shpejtë, parandaluan zgjerimin e tragjedisë

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

 

Shefi i Urgjencës së Ferizajt jep detaje për gjendjen e pacientëve të plagosur nga shpërthimi

Shef i shërbimit te emergjencës në Ferizaj, Segedin Fazliu që ishte mjek kujdestar sot kur ndodhi ngjarja e rëndë e shpërthimit të një bombole gazi, tha se nga 13 pacientë sa janë dërguar në QKUK, tetë prej tyre janë në gjendje të rëndë.

“Sot pas orës 14:00, pas shpërthimit të një bombole gazi, ka ndodhur lëndimi i rreth 42 pacientëve që kanë marrë trajtim këtu në shërbimin emergjent. 13 prej tyre pasi kanë marrë trajtimin këtu janë transferuar për Qendrën Klinike në Prishtinë ku janë më të specializuar për trajtimin e djegieve”, tha ai.

Ai tregoi se pacientët e dërguar në Prishtinë kanë marrë lëndime të rënda dhe shkalla e djegies është mbi 30%.

“Rreth 11 pacientë i kemi shtruar në pjesën e Kirurgjisë gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë, një numër prej tyre lirohen për në shtëpi. Po ashtu disa të tjerë pasi kanë marrë trajtimin janë liruar për në shtëpi”, tha ai.

Fazliu tha se nga të lënduarit që janë në Urgjencën e Ferizajt vetëm pesë do të kenë nevojë të qëndrojnë sonte në klinikë.

Shpërthimi ka ndodhur pas orës 14:00, në kohën e shërbimit të kujdestarisë, që sipas Fazliut pa mobilizimin edhe të shtëpive të shëndetit dhe ndihmës nga FSK, Policia e Kosovës dhe komunat përreth nuk do t’ia dilnin t’i trajtonin pacientet.

“Pa ndihmën e te gjithë këtyre nuk do ia dilnim meqenëse stafi është shumë i vogël për t’u ofruar të njëjtën kohë ndihmë shumë pacientëve”, tha ai.

***

Dëshmitari tregon momentet e tmerrit: Shpërthim i fuqishëm, dërguam të plagosurit në Urgjencë

Ferizaj u trondit nga një shpërthim i një bombole gazi që ndodhi pasditen e sotme në kompleksin “Village”.

Krejt këtë ngjarje e ka parë Xhemajl Idrizi, qytetar nga Vitia, i cili në kohën kur ka ndodhur shpërthimi ka qenë pranë lokaleve.

“Ishim në një restorant duke pirë kafe dhe po dilnim në drejtim të makinës diku 15 metra afër ngjarjes kemi dëgjuar një shpërthim shumë të fortë dhe menjëherë xhamat e shitoreve u thyen. Ne kemi parë në një shitore dy vajza të reja dhe një grua, ishin shumë të shqetësuara e të trishtuara, unë isha me mbesat e mija dhe ofruam ndihmën edhe psikologjike edhe nga mundësia t’i evakuojmë sepse unë mendoja mund të ketë shpërthim të dytë e ajo është më rrezik, i larguam nga shitorja, njëra ka qenë e lënduar në kokë ka pasur edhe gjakderdhje, atë mbesa dhe nipi e kanë dërguar në Urgjencë në Ferizaj, kurse vajzën e dytë 10 minuta jemi munduar ta qetësojmë”, tha ai.

Idrizi i cili jeton në Gjermani dhe ka ardhur për pushime në Kosovë, tregon se te gjithë njerëzit që kanë qenë në lokalet përreth kanë dalë jashtë ndërtesave.

“Kanë dale gjithkah njerëzit sepse ka qenë shpërthim i fortë dhe menjëherë ka reaguar policia”, tregon ai.

Nga kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur sot në Ferizaj, lokali në të cilin ndodhi shpërthimi ka pësuar dëme të mëdha materiale, e edhe lokalet e tjera përreth janë dëmtuar. 

***

​Shtatë persona janë në gjendje të rëndë, nga 43 sa janë lënduar gjithsej si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi brenda një restoranti në Ferizaj pasditen e sotme.

14 prej personave të lënduar po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa të tjerët po trajtohen në spitalin e Ferizajt.

Kolonel Emin Beqiri, drejtor i Policisë Rajonale të Ferizajt, tregoi numrin e të lënduarve.

Beqiri: Shpërthimi ndodhi pasdreke

“Shpërthimi ka ndodhur në orët e pasdrekes dhe dyshohet se ka ndodhur si pasojë e një bombole gazi. Numri i të lënduarve, sipas asaj që dimë që janë dërguar ne shtëpi të shëndetit janë 43, prej tyre në Prishtinë janë dërguar 14 persona”, tha ai.

Personat e lënduar janë larguar menjëherë nga vendi i shpërthimit, me reagimin e Policisë se Kosovës, zjarrfikësve dhe ekipeve mjekësore.

Beqiri: Po vijojmë hetimet

“Aktualisht jemi duke kryer hetimet në vendin e ngjarjes dhe duke shikuar mundësitë e tjera të hetimeve”, tha ai.

Nga kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur sot në Ferizaj, lokali në të cilin ndodhi shpërthimi ka pësuar dëme të mëdha materiale, e edhe lokalet e tjera përreth janë dëmtuar.

Ndryshe, ekipet emergjente komunale, si zjarrfikësit, ekipet e emergjencës shëndetësore, policia dhe kompetentët tjerë dolën menjëherë në vendngjarje.

***

15 persona po trajtohen në Qendrën Emergjente të QKUK-së, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në një prej lokaleve në qytetin e Ferizajt.

Të lënduarit e sjellur në QKUK i ka vizituar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka thënë se të gjithë pacientët janë në jetë.

Ai falënderoi stafin mjekësor të Emergjencës, por edhe Spitalit rajonal të Ferizajt, ndërsa ofroi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

Zemaj: Fati i mirë është që të gjithë janë në jetë

“Fati i mirë është që të gjithë janë në jetë, janë duke marrë trajtimin e duhur shëndetësor me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që i ka emergjenca në Prishtinë, por edhe profilet tjera të cilat janë angazhuar në trajtimin e tyre për shkak të djegieve të cilat ata kanë pësuar. Ne i vizituam edhe fizikisht. Janë duke u trajtuar. Vlen të theksohet që koordinimi i mirë mes spitalit të Ferizajt dhe emergjencës së QKUK-së tregon përkushtimin e profesionistëve shëndetësorë dhe mbi të gjitha shpëton edhe jetë që është ky rast. Më lejoni që të ju shprehi shëndet dhe shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve dhe familjeve të tyre sa më pak shqetësim sepse besoj që të gjithë janë të sigurt në duart e mjekëve tanë dhe janë duke marr trajtimin adekuat”, tha ai.

Ndërsa Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, tha se në këtë klinikë nga Spitali Rajonal i Ferizajt janë sjellur 15 pacientë, tre prej tyre në gjendje më të rënduar.

Lenjani: Në Klinikën Emergjente kemi gjithsejtë 15 të lënduar

“Në Klinikën Emergjente kemi gjithsejtë 15 të lënduar si pasojë e eksplodimit të bombolës. Për momentin janë 4 të pranuar, tre në kujdesin intensiv, pas trajtimit të plagëve të djegura në sallën operative dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Mjekimit Intensiv Qendror. Ndërsa një e moshës 20 vjeçare si pasojë e djegies së fytyrës, kokës, dërgohet për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Ortopedisë. Ndërsa 10 të tjerë po qëndrojnë ende në Klinikën Emergjente që janë duke u trajtuar nga kirurgët plastik”, tha ai.

***

Një 20 vjeçare ka pësuar lëndime shumë të rënda nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK, ka bërë të ditur se pacientja në fjalë ka pësuar djegie të fytyrës, kokës dhe qafës dhe e njëjta është dërguar në klinikën e Ortopedisë.

Po ashtu, ai ka treguar se tre pacientë janë në kujdesin intensive.

“Në Klinikën Emergjente kemi 15 të lënduar. Tre janë në kujdesin intensiv.  Një e moshës 20 vjeçare si pasojë e djegies së fytyrës dhe kokës dhe qafës  dërgohet në klinikën e ortopedisë. Ndërsa 10 qëndrojnë në klinikën emergjente”, ka thënë Lenjani para mediave. 

 

Shpërthimi në Ferizaj, Armend Zemaj viziton të lënduarit në QKUK

Në Emergjencën e Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u trajtuar dhjetëra persona të cilët janë lënduar nga një shpërthim në një lokal në Ferizaj.

Në Emergjencë tani ka shkuar edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ndërkohë që mjeku kujdestar në emergjencë, Agron Çitaku në konferencën për media ka treguar për gjendjen shëndetësore të të lënduarve që janë duke u trajtuar në QKUK.

Ai tha se gjendja shëndetësore e 14 të lënduarve është mesatarisht e rëndë dhe se pesë persona janë duke u trajtuar në sallën operative.

Image
 
***

​Është rënduar bilanci i të plagosurve nga shpërthimi i tmerrshëm në Ferizaj

Mjeku kujdestar në QKUK, Agron Çitaku, para mediave ka thënë se deri më tani 15 pacientë janë sjellur në Emergjencën e Prishtinës për trajtim.

Ai para mediave ka theksuar se të plagosurit kanë pësuar lëndime kryesisht në pjesën e pasme të trupit dhe në fytyrë.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se dy pacientë janë në gjendje më të rëndë, dhe të njëjtit janë dërguar për mjekim intensiv.

***

Reagon Komuna e Ferizajt pas shpërthimit që la dhjetëra të lënduar

Komuna e Ferizajt ka dhënë detaje për shpërthimin e bombolës së gazit që la dhjetëra persona të lënduar.

Sipas komunës, numri i personave të lënduar në gjendje më të rëndë që janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK është 13.

Reagimi i plotë i Komunës

42 të lënduar nga shpërthimi i fuqishëm sot në njërin nga restaurantet në Ferizaj, me ç’rast 13 prej të lënduarve në gjendje më të rëndë janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.

Menjëherë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu shoqëruar edhe nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi, drejtorin rajonal të Policisë, Emin Beqiri, vizitoi të lënduarit në QKMF dhe Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt. Gjithashtu, ekipet e mjekëve dhe infermierëve, bashkë me policinë e njësinë e zjarrfikjes kanë reaguar menjëherë përkitazi me këtë rast.

Nga raportimi i fundit, 42 është numri aktual i të lënduarve, nga shpërthimi që dyshohet se ndodhi nga shpërthimi i bombolës së gazit në njërin nga restaurantet e Ferizajt. 

***

Pamje nga Spitali i Ferizajt, të lënduarit vizitohen nga kryetari i komunës

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka vizituar të plagosurit nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi sot në këtë komunë.

Aliu me anë të një postimi në Facebook i ka cilësuar si të tmerrshme pamjet nga ky shpërthim.

Ai ka uruar që nga ky rast të mos shënohet asnjë viktimë, teksa deri më tani janë konfirmuar 42 të lënduar.

Postimi i plotë:

Të tmerrshme, pamjet nga shpërthimi i fuqishëm i pasdites së sotme në njërin nga restaurantet në kompleksin “Village” në Ferizaj.

Ekipet emergjente komunale, si zjarrfikësit, ekipet e emergjencës shëndetësore, policia dhe kompetentët tjerë dolën menjëherë në vendngjarje.

Uroj të mos shënohet asnjë viktimë e gjithashtu gjatë vizitës që i bëra, i urova shërim të shpejt gjithë të lënduarve.

Faleminderit mjekëve dhe infermierëve të QKMF-së dhe Spitalit të Përgjithshëm që me përpjekje mbinjerëzore po japin gjithçka nga vetja për ta mbrojtur shëndetin e të lënduarve.

Image
Image

***

Rreth orës 15:00 sot gjatë ditës ka ndodhur një shpërthim i bombolës së gazit në qytetin e Ferizajt. Deri më tani 44 persona janë konfirmuar të lënduar, teksa 14 të tjerë që janë në gjendje më të rëndë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga mjeku kujdestar në Emergjencë, Agron Çitaku i është konfirmuar se pesë persona janë në operim ndërsa pritet që edhe katër të tjerë të futen në orët në vijim në operacion.

Në ndërkohë Major i policisë Qazim Reka, ka thënë se përveç lokalit ku ka ndodhur shpërthimi, ka pasur dëme edhe në objektet përreth.

”Në orën 14:27 kemi marrë informacion që ka pasur një eksplodim. Të gjitha njësitet policore kanë ndalk në vendin e ngjarjes. Janë lajmëruar njësitet e zjarrfikësve dhe emergjenca. Sipas hetimeve të para bëhet fjalë për një bombol gazi. Numri i të lënduarve deri më tani është 44, 14 janë duke u trajtuar në Prishtinë të tjerët janë në Ferizaj. Në mesin e të lënduarve janë dy të mitur. Rastet e rënda janë duke u trajtuar në Prishtinë teksa të tjerët janë duke u trajtuar në Spitalin e Ferizaj”, ka thënë Reka.

“Plag në trup e fytyrë”, QKUK jep detaje për gjendjen e të plagosurve nga shpërthimi në Ferizaj

Mjekët kujdestarë në QKUK kanë dhënë detaje për të lënduarit nga shpërthimi i fuqishëm në Ferizaj.

Ata kanë bërë të ditur se deri tash në QKUK janë transferuar 14 persona, të cilët kanë lëndime të ndryshme

“Nga ora 15:00 nga Spitali i Ferizajt na është kumtuar për një shpërthim ku ka pasur shumë të lënduar. Gjendja momentale e tyre është stabile edhe pse momentalisht e rëndë. Pesë janë trajtuar në sallën operative, teksa edhe katër prej tyre do të futën pastaj”, ka thënë njëri nga mjekët kujdestar.

Ai ka thënë se nga të lënduarit, më i riu është një person i lindur në vitin 2002.

2002 është më e ulëta moshë, teksa 49 ma e larta. Gjendja e tyre është mesatarisht e rëndë nga plagët në pjesën e sipërme të trupit dhe në fytyrë”, kanë thënë nga QKUK.

Ndërkaq më herët gjatë ditës u bë e ditur se në gjendje më të mirë janë pacientët në Ferizaj të cilët kanë pësuar lëndime më të lehta. 

***

Nga shpërthimi në Ferizaj u plagosën edhe persona që ishin jashtë lokalit

Të paktën 42 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në qytetin e Ferizajt.

Aktualisht, 13 nga të plagosurit po trajtohen në QKUK në Prishtinë, si rrjedhojë e plagëve më të rënda që kanë marrë

Siç kanë konfirmuar nga drejtoria e Shëndetësisë në Ferizaj, pjesa tjetër e pacientëve po trajtohen në spitalin e kësaj komune dhe janë në gjendje stabile shëndetësore.

Nga Policia e Kosovës ndërkaq kanë potencuar se fuqia e shpërthimit ka qenë aq e madhe, sa që të lënduar kanë mbetur edhe disa persona që ishin jashtë lokalit ku ndodhi rasti.

Mediat më herët publikuan pamje të të lënduarve nga ky rast tragjik në Ferizaj.

Sipas dëshmive të tyre, mendimet e para ishin se ka ndodhur ndonjë tërmet pasi që kanë dëgjuar shpërthimin e madh.

Siç raportohet, të paktën katër persona janë në rrezik për jetë si pasojë e plagëve të marra. 

***

Dhjetëra të lënduar, versioni i policisë dhe i mjekëve për shpërthmin në Ferizaj

Shpërthimi i një bombole gazi brenda një restoranti në Ferizaj ka lënë 41 persona të lënduar, deri më tani. Viktimat kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore dhe të paktën 11 nga ta kanë marrë djegie të shkallës së dytë. Në mesin e personave që kërkuan ndihmë mjekësore janë edhe dy fëmijë.

Nga shpërthimi i fuqishëm pësoi dëme të mëdha materiale restoranti ku ndodhi incidenti si dhe lokalet përreth.

Policia e Kosovës dhe ekipet e tjera relavante po vazhdojnë të qëndronjë në vendin e ngjarjes.

Lidhur me rastin media ka marrë informacione zyrtare nga policia dhe mjekët.

“Mund të ju konfirmojmë se numri i të lënduarve ka shkuar në 41”, tha Majori i Policisë së Ferizaj, Qazim Reka.

Deri në orën 16:00, Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri, ka thënë se 24 pacientë kanë kërkuar trajtim në këtë spital si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur, derisa 8 persona janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por numri i atyre që po kërkojnë ndihmë mjekësore vijon të rritet.

Ai ka thënë se 4 prej pacientëve të cilët janë dërguar në QKUK janë në gjendje më të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve që kanë pësuar.

“24 pacientë kanë ardhur në spital për shkak të shpërthimit të një bombole. 8 prej tyre janë dërguar në QKUK me djegie të shkallës së lartë, 4 prej tyre në bazë të ekzaminimit janë shumë të rrezikuar për jete, ndërsa 12 pacientë janë duke u trajtuar në spital. Ne jemi mobilizuar menjëherë për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë ai.

Ndërsa, gjendja e të lënduarve të tjerë është stabile, aktualisht.

Edhe të lënduarit kanë mbërritur për shërim në QKUK.

16:42 Shkon në 42 numri i të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj, 12 prej tyre janë dërguar në QKUK

Numri i të lënduarve nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj ka shkuar në 42.

Këtë e ka konfirmuar edhe komandanti i policisë së Ferizajit, Emin Beqiri.

Ai ka treguar se 12 nga të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim për shkak të lëndimeve më serioze.

“Realisht, numri i të lënduarve ka shkuar në 42, 12 prej tyre janë dërguar në Prishtinë ndërsa pjesa tjetër janë duke u trajtuar në Ferizaj nëpër klinika të ndryshme janë të shpërndarë. Për gjendjen e tyre nuk kemi ende ndonjë informacion të saktë, por informacionet e para thonë se 7-8 prej tyre e kanë të rëndë gjendjen”, tha Beqiri.

Në anën tjetër, nga QKUK kanë thënë se të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj kanë plagë në vende të ndryshme të trupit.

***

Në një restorant në Ferizaj ka ndodhur një shpërthim i madh gjatë ditës së sotme. Si pasojë e tij, 41 persona kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore, teksa 11 janë dërguar për shërim të mëtutjeshëm në QKUK në Prishtinë. Në mesin e të lënduarve janë edhe dy fëmijë.

Lajmin për rritjen e numrit të të lënduarve, në 41, e ka konfirmuar, Major Qazim Reka.

“Mund të ju konfirmojmë se numri i të lënduarve ka shkuar në 41”, tha Reka.

Brenda restorantit dyshohet se ka shpërthyer një bombolë e gazit, ku përveç dhjetëra të lënduarve janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.

Akoma nuk dihen shkaqet e shpërthimit, teksa policia dhe njësitet e tjera relevante po qëndrojnë në vendin e ngjarjes.

Ndërsa, nga Spitali i Feriajit kanë treguar për gjendjen e të lënduarve që kanë kërkuar trajtim në këtë spital.

 

Fuqia e madhe e shpërthimit në Ferizaj, thyhen xhamat e banesave

Një shpërthim i madh ka ndodhur sot në Ferizaj, ku si pasojë 31 persona janë lënduar.

Shpërthimi i bombolës së gazit ka qenë aq i fuqishëm, sa që në imazhet e publikuara janë parë xhamat e banesave teksa janë thyer.

Siç është bërë e ditur deri më tani, katër nga të lënduarit janë në rrezik për jetë.

Ndërkaq, tetë persona janë transportuar për në QKUK.

Image

***

Në QKUK po trajtohen 9 persona të lënduar nga shpërthimi në Ferizaj

9 persona të lënduar nga shpërthimi i bombolës në një lokal në Ferizaj janë duke u trajtuar në emergjencën e Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani ka treguar se të lënduarit që po trajtohen në këtë klinikë kanë lëndime të shkallës së dytë, djegie në fytyrë, djegie të ekstremiteteve të sipërme e të poshtme dhe të trupit.

“Nëntë persona të lënduar nga shpërthimi që ka ndodhur në Ferizaj tani janë duke u trajtuar në Emergjencën e Klinikës Universitarë të Kosovës. kanë lëndime të shkallës së dytë, kanë djegie të fytyrës të ekstremiteteve të sipërme, të poshtme dhe të trupit”, tha Lenjani.

Ndërkaq në këtë shpërthim kanë mbetur të lënduar 31 persona.

Majori i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Qazim Reka ka thënë se “Një bombol e gazit ka shpërthyer në një lokal ushqimi në Ferizaj. Deri më tani dihet për lëndimin e 31 personave. Për momentin janë të gjithë në spital. Shtatë prej tyre janë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , ndërsa të tjerët janë duke u trajtuar në emergjencën e spitalit. Fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për vdekje”

***

Ka shkuar në 31 numri i të lënduarve nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj.

Ndërsa shtat prej të lënduarve janë në gjendje më të rendë dhe janë dërguar për në QKUK.

Këtë e ka konfirmaur për media zëdhënësi i policisë në rajonin e Ferizajt, Emin Beqiri

“Deri më tani janë 32 persona të lënduar, prej tyre shtatë janë në gjendje më të rëndë. Ndërsa në mesin e të lënduarve janë edhe dy fëmijë”.

***

Një shpërthim i madh ka ndodhur pak minuta më parë në një qendër tregtare në Ferizaj.

Shkak i shpërthimit dyshohet të jetë një bombolë gazi.

Nga ky shpërthim kanë mbetur të lënduar 26 persona ku ka edhe fëmijë.

Rastin e ka konfirmuar Drejtori Rajonal në Polici në Ferizaj, Emin Beqiri.

“Shpërthimi ka ndodhur dhe shkak dyshohet të jetë një bombolë gazi. Deri tani 26 persona janë të lënduar. Gjashtë nga ta janë përcjell për në Qendren Klinike Universitare të Kosovës ku dy nga të lënduari janë në gjendje të rëndë”, tha Beqiri.

Beqiri mes tjerash bëri të ditur se në mesin e 26 personave të lënduar janë edhe dy fëmijë.

***

Në 24 ka shkuar numri i të lënduarve si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një restorant në Ferizaj.

Shpërthimi ka ndodhur në lokalin “Steak House” , i cili duket që është demoluar tërësisht.

Dy nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar për shërim në QKUK në Prishtinë, këto informacione i ka konfrmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.

Akoma nuk dihen shkaqet e shpërthimit.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat