Dikur shtrëngonin duart dhe pinin çaj bashkë, por kur nisi përplasja Veliu-Osmani?

Aktuale

Dikur shtrëngonin duart dhe pinin çaj bashkë, por kur nisi përplasja Veliu-Osmani?

Më: 5 janar 2021 Në ora: 15:29
Agim Veliu dhe Vjosa Osmani

Agim Veliu dhe Vjosa Osmani që dikur radhiteshin si të dytët me pozita në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk i kanë kurrqysh raportet me njëri-tjetrin.

Veliu që tani mban pozitën e nënkyetarit të LDK-së dhe njëherësh atë të Ministrit të Brendshëm riktheu në vëmendjen e opinionit për mospajtimet që ka me Osmanin me një deklaratë ku ironizoi me të.

“Unë e di që ajo është tepër e madhe dhe i duhet hapësirë shumë, a po kupton çfarë, qysh konteksti po e them. Unë e di që ajo është tepër e madhe, e gjanë (e gjerë) edhe i duhet hapësirë shumë, po nuk e paskna ditë që duhet komplet një Kryesi me ja lëshu vendin edhe nuk e di a e nxenë”, kishte thënë Veliu.

Kjo deklaratë e numrit dy të LDK-së erdhi pas asaj të Osmanit bërë mbrëmë në  debatin “KALLXO Pernime” ku deklaroi se “duhet të largohet kryesia aktuale e LDK-së, që të flitet për kthimin e saj në parti”.

Por kur nisi përplasja mes Osmanit dhe Veliut?

Një shtrëngim duarsh në fushatën për zgjedhjet e 2019 dhe një gosti me çaj duket se nuk do të përsëriten më mes njërit nënkryetar dhe tjetrës ish-nënkryetar të LDK-së.

Më 12 dhjetor të 2019-ës një fotografi mes të dy asokohe të të nominuarve për kryeministër nga dy partitë opozitare, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksa regjistroheshin si deputet të Kuvendit  u bë morrë sherri.

Ky takim i pasuar nga fotoja nuk i pëlqeu Agim Veliut.

Ai tha se Osmani “duhet të t’u japë sqarim votuesve të LDK-së se çka po do të japë mesazh me këto rastësi”.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, i ishte kundërpërgjigjur Veliut, duke këmbëngulur se “duhet të harrojë” që mund të marrë sqarime nga ajo për çështjen e fotografisë.

Ndërkaq, edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit, Osmani e Veliu, kishin pasur përplasje mes vete.

Por raportet Osmani-Veliu u përkeqësuan edhe më shumë më 8 prill të vitit 2020 edhe pse ato ishin të ftohta, prej para fushatës zgjedhore të 2019-ës kur të dy kishin mospajtime në lidhje me një koalicion me Vetëvendosjen.

Ishte Veliu ai i cili e quajti Osmanin “përkthyese” të tashmë ish-presidentit Hashim Thaçi.

Veliu thoshte “se Osmani asnjëherë nuk ka pasur guximin që të garojë në zgjedhje në komunën e saj, por as në Prishtinë, kur LDK-ja ia kishte ofruar një mundësi të tillë”.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu në një deklaratë tjetër bërë më 9 shtator të vitit që shkoi tha se “Osmani nuk mund ta përçajë LDK-në”.

“Lidhja Demokratike deri tash është tregu historikisht që nuk mund ta ndajë askush, mund të ndahen individë, kushdo qofshin por LDK është vështirë të ndahet”,pati thënë Veliu pas një takimi që pati me kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat