Kryetari i Ferizajt tregon se pse s’u dërguan gjashtë të lënduarit në Turqi, por vetëm katër

Aktuale

Kryetari i Ferizajt tregon se pse s’u dërguan gjashtë të lënduarit në Turqi, por vetëm katër

Më: 7 janar 2021 Në ora: 14:52
Kryetari i Ferizajt tregon se pse s’u dërguan gjashtë të lënduarit në Turqi, por vetëm katër

44 persona u plagosën si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit që ndodhi pasditen e së martës në qytetin e Ferizajt.

Pas shpërthimit që ndodhi në një restorant në qendër të qytetit, shumë nga personat e pranishëm të cilët pësuan lëndime të rënda trupore u nisën drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për shërim të mëtutjeshëm.

Por për shkak se gjendja e disa prej tyre ishte jashtëzakonisht e rëndë u morë vendim që gjashtë prej tyre të dërgohen për trajtim të mëtejshëm në Turqi.

Pavarësisht kësaj, shteti turk vendosi që në fillim të pranojë vetëm katër prej tyre pasi për më tepër nuk pati mundësi njëherë për njëherë.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliun.

Aliu deklaroi se janë munduar që të bëjnë gjithçka që të gjashtë pacientët të dërgohen për trajtim, por që vendimi që vetëm katër prej tyre të pranohen njëherë ishte ekskluzivisht vendim i mjekësisë në Turqi.

“Është vendim që është marrë nga autoritetet turke, që ti pranojnë katër pacientë dhe pastaj këta katër janë të rangun në varësi të lëndimeve trupore nga Këshilli Profesional në kuadër të SHSKUK-së. Ne jemi duke bërë përpjekje nga të gjitha autoritetet kosovare duke përfshirë këtu të gjitha nivelet përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë që të gjejmë rrugë që edhe për këta dy të tjerët të bëhet transferimi i tyre, por përndryshe autoritetet turke tash për tash kanë pranuar që vetëm katër të pranohen atje. Janë edhe disa qytetarë të tjerë të cilët janë me lëndime të rënda, një prej tyre është edhe 20 vjeçarja, për të cilën shpresoj shumë që të transferohet”, tha Aliu.

Ai theksoi se edhe kuzhinieri, edhe pronari edhe të tjerët të cilët janë lënduar janë pjesë e kësaj fatkeqësie për të cilët shpreson që të shërohen sa më shpejtë.

“Edhe pronari edhe kuzhinieri edhe të tjerët janë qytetarë të Ferizajt që kanë marrë lëndime të rënda, e që uroj të shërohen shpejtë. Pronari e të tjerët kanë lëndime në shkallë mjaftë të lartë. Gjendja e tyre është konstatuar nga mjekët klinikë, nga këshilli profesional i tyre të cilët edhe kanë rekomanduar që të jenë në listë edhe këta, autoritete turke kanë vendosur dhe ne po bëjmë përpjekje që në atë listë të shtohen edhe qytetarët e tjerë të cilët kanë lëndime të rënda”, shtoi Aliu.

I pari i Ferizajt tha se është takuar sërish edhe me familjarët e personave të lënduar, që nuk u dërguan në Turqi e të cilët në forma të ndryshme janë shprehur të dëshpëruar për këtë vendim.

“Jam takuar edhe me familjarët e tyre dhe e kuptoj plotësisht gjendjen dhe uroj që të jenë me shëndet të mirë dhe të kenë shërim sa më të shpejtë. Ne po mundohemi të bëjmë gjithçka sepse po e kuptojmë situatën se së pari është shumë e rëndë për të dhe familjarët, por edhe ne jemi në këtë dhe do të bëjmë gjithçka që të realizohet edhe shërimi i tyre”, përfundoi Aliu.

Pas shpërthimit të kësaj bombole të gazit në Ferizaj pati reagime të shumta, ku u urua shërimi i këtyre qytetarëve, por që edhe u kërkua që të hetohet deri në pikë të fundit se si erdhi deri në këtë incident. Madje u kërkua që qytetarët, por edhe bizneset të kenë kujdes në përdorimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat