Profesori Bytyçi: Ibrahim Rugova nuk është shenjtë, ishte njeri, edhe gjigand, edhe i gabueshëm

Aktuale

Profesori Bytyçi: Ibrahim Rugova nuk është shenjtë, ishte njeri, edhe gjigand, edhe i gabueshëm

Nga: G.B Më: 15 janar 2021 Në ora: 07:37
Ibrahim Rugova

Profesori Enver Bytyçi ka thënë se Ibrahim Rugova është shenjtë, se ai ishte njeri, edhe gjigand, edhe i gabueshëm.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Nëne Tereza është shenjtore, Ibrahim Rugova nuk është shenjtor, derisa shton se nga gjithë literatura që ka lexuar për personazhet shqiptare, vetëm këta dy gjendeshin në piedestal dhe nuk kishte asnjë fjalë të keqe për ta, përcjell Bota sot.

Ai shkruan se i shenjtë është çdo dëshmor i UÇK-së, por Rugova është më i madhi nga të gjithë ata liderë të UÇK-së që mburren se bënë luftën dhe i kërkojnë haraç atdheut.

Bytyçi tutje thotë se Rugova qëndroi në Velani dhe nuk iku në Shqipëri as Maqedoni dhe serbët nuk e vranë atë, por e morën peng duke e bërë si njeri lojal të tyre.

Profesori ka shkruar se kush përpiqet të keqtrajtojë figurën e Ibrahim Rugovës, e bën këtë për nevojat e veta ditore!

Postimi i tij i plotë:

Ibrahim Rugova nuk është shenjtë. Ishte njeri, edhe gjigand, edhe i gabueshëm.

Nënë Tereza është shenjtore, Ibrahim Rugova nuk është shenjtor. Kam shfletuar me mijëra faqe në arkivat gjermane. Edhe në institute të mbushura plot mllef kundër Kosovës. Kam lexuar për dhjetëra personazhe shqiptare. Por vetëm dy prej tyre gjendeshin në piedestal: Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova. Për këta dy nuk munda të gjej një sharje, një fjalë të keqe!

UÇK është e pastër. Çdo dëshmor i saj është shenjtë, është përmendore e atdheut. Ibrahim Rugova nuk është dëshmor. Nuk është i pastër sa një dëshmor i atdheut. Por Ibrahim Rugova është më i madhi nga të gjithë ata liderë të UÇK-së që mburren se bënë luftën dhe i kërkojnë haraç atdheut! E në emër të haraçit që "u takon" e vodhën dhe e rrënuan këto 20 vite!

Ibrahim Rugova nuk e bëri luftën. Atë e bënë NATO dhe UÇK! Por pa Rugovën dhe kontributin e tij në qendrat e vendosjes ndërkombëtare nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s.

Në vend që të vishte kambalet e ushtarit për të luftuar kundër Serbisë, Ibrahim Rugova zgjodhi të qëndrojë në Velani. Por nuk u vesh si gratë për të ikur fshehurazi për në Maqedoni ose Shqipëri.

Serbia dhe serbët nuk e vranë Ibrahim Rugovën, scic bënë me Fehmi Aganin e të tjerë dëshmorë të atdheut, por është e ditur se Serbia nuk mund ta vriste liderin e shqiptarëve. Ajo u përpoq ta vrasë duke e marrë peng dhe duke e paraqit si lojal ndaj saj. Në fakt Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet lideri politik më i vendosur për ta refuzuar Serbinë në Kosovë.

Këto janë faktet. Ka edhe të tjera si këto. Kush përpiqet të keqtrajtojë figurën e Ibrahim Rugovës, e bën këtë për nevojat e veta ditore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat